Lidhje

Joga turistike në Turqi


Turqia, prej kohësh, ka tërhequr turistët me bukurinë e saj natyrore, por vendi po bëhet çdo ditë edhe më i pëlqyer për praktikantët e yogës. Kopshti i Sulejmanit është një prej resorteve që u ofron njerëzve një vend të përshtatshëm për të praktikuar yogën dhe për t’u çlodhur.

Është mëngjes herët në Kopshtin e Sulejmanit në jug të Turqisë, dhe salla e yogës është plot me njerëz. Natyra e plazhit Aktas në fshatin Faralya që rrethon resortin të lejon të kuptosh se përse amatorët e yogës e preferojnë këtë vend. Shumica e tyre vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, por gjatë këtyre pushimeve kanë ardhur turistë edhe nga vende më të largëta.

Programi këtu përfshin një javë praktikë yoge intensive, ushqime vegjetariane të marrë nga kopshti ose fermerët lokalë, vizita nëpër vendet turistike, dhe lundrim me vela në një mjedis të bukur të krahinës Mugla.

Nuk është hera e parë që mësuesja e yogës Sharon Farah vjen në Turqi.
Zonja Farah thotë se ajo ka dhënë mësime yoge në disa vende të botës, por Turqia është e veçantë.

“Është një vend shumë i bukur edhe për t’u vizituar. Ky resort është veçanërisht shumë çlodhës”, thotë ajo.

Pronarët e Kopshtit të Sulejmanit kanë në pronësi një resort tjetër në një luginë malore aty pranë, dhe një hotel të vogël në bregdet. Të tre këto pika i janë përkushtuar gërshetimit të yogës me agro-turizmin.

“Unë vij këtu për t’u çlodhur, të shoh ca pamje të bukura, të shoh pak Turqinë, dhe të takoj njerëz të ndryshëm”, thotë Jean Irvine, e cila ka ardhur këtu si studente por është mësuese yoge në Londër.

Ajo ka qenë disa herë në Turqi për t’i shpëtuar sadopak jetës së saj të lodhshme në qytet. Turizmi i huaj filloi në këtë rajon në vitin 1995 me hapjen e Luginës Butterfly.

Ian Worrall, një 52 vjeçar britanik i rritur në Turqi, është këshilltar rezervimesh nga Britania për Kopshtin e Sulejmanit, dhe dy resorte të tjerë.

Ai dhe familja e tij janë marrë me biznesin e yogës prej gati dy dekadash. Sipas tij, ky lloj turizmi është edhe një mënyrë për të ndihmuar bizneset tradicionale vendase që të mbijetojnë.

“Ne ndihmojmë shoferët lokalë të furgonëve, fermerët lokalë. Ne gjithmonë ofrojmë prodhime dhe shërbime vendase, në mënyrë që paratë të qëndrojnë në ekonominë lokale”, thotë ai.

Ky lloj turizmi është shumë më ndryshe nga ai që ka përjetuar krahina Mugla gjatë dekadës së fundit.

Përgjithësisht, kanë qenë turistë në kërkim të plazheve dhe argëtimit – gjë që ka ndihmuar zhvillimin e hoteleve, vendeve turistike, dhe infrastrukturës. Tani është një lloj tjetër turizmi.
XS
SM
MD
LG