Lidhje

Shimon Peres përshëndet vendimin për lirimin e Pollard


Ish-presidenti izraelit Shimon Peres përshëndeti lirimin e ish-analistit të marinës amerikane, Jonathan Pollard. Më 21 nëntor, Pollard do të lirohet me kusht pasi vuajti 30 vjet burgim, i shpallur fajtor për spiunazh në favor të Izraelit.

Ish-presidenti izraelit Shimon Peres e cilësoi vendimin një akt emocionues:

“Dua të shpreh mirënjohjen ndaj vendimit për të liruar Pollardin nga burgu. Ishte një vendim shumë emocional si për mua personalisht, por edhe më gjerë. Personalisht, mjafton të imagjinosh që dikush rri 30 vjet në burg. Së dyti, e konsideroj si vendim të drejtë bazuar në kushtetutën dhe ligjet amerikane. Kam folur me Presidentin Obama për këtë rast dhe më pat thënë se do t’ia lërë në dorë procesit ligjor dhe se nuk do të ketë pengesa politike”.

Lirimi i Jonathan Pollard eliminon një temë acaruese mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, në një periudhë kur marrëveshja me Iranin ka shtuar fërkimet mes dy aleatëve të ngushtë.

Jonathan Pollard, aktualisht 60-vjeç, u shpall fajtor në 1987 për spiunazh dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ai u akuzua se i kishte dhënë Izraelit dokumenta tepër sekrete. Për disa Pollard ka hyrë në histori si tradhtar, duke marrë parasysh kategorinë e dokumentave që i dorëzoi Izraelit; të tjerë thonë se aktet e tij ishin ekzagjeruar.

Pollard, i cili ka vuajtur 30 vjet burgim, do të duhet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për pesë vjet në bazë të lirimit me kusht.

Sekretari i Shtetit John Kerry mohoi që të kishte ndonjë lidhje mes vendimit të Komisionit për Lirimet me Kusht dhe marrëveshjes me Iranin, që kryeministri Benjamin Netanyahu e kundërshton me forcë.

Zyrtarët izraelitë e kanë bërë të qartë se lirimi i ish-spiunit izraelit nuk do të zbusë kritikat e tyre ndaj marrëveshjes.

XS
SM
MD
LG