Lidhje

Gjyqi i drejtuesve të shërbimit sekret jugosllav


Sot në Munih, në një proces gjyqësor ndaj dy ish drejtuesve të zbulimit jugosllav, pritet të jepen dëshmi të rëndësishme. Zyrtarët e lartë të shërbimit sekret në ish Jugosllavinë komuniste, kroatët Josip Perkoviç dhe Zdravko Mustaç, akuzohen për planifikimin e vrasjes së desidentit kroat Stepjan Durekoviç, i cili u gjend i vrarë në një garazh në një qytet gjerman në vitin 1983.

Prokurorët thonë se vrasja e zotit Durekoviç u urdhërua nga një udhëheqës i lartë në ish Jugosllavi. Në pamje të parë, motivi i vrasjes duket të kanë qënë aktivitetet politike të desidentit kroat, por sipas akt-akuzës, urdhëruesi i vrasjes, synonte të parandalonte publikimin e aktiviteteve të paligjshme të djalit të tij në kompaninë shtetërore të naftës INA, thuhet në akt-akuzë. Para se të largohej drejt Perëndimit, zoti Durekoviç drejtonte kompaninë INA.

Agenti, pronar i garazhit ku u krye vrasja, i cili kishte arritur të fitonte besimin e zoti Durekoviç, është dënuar me burgim të përjetëshëm në Gjermani në vitin 2008. Në atë kohë, gjykata pohoi se 22 kroatë ishin vrarë në Gjermaninë Perëndimore me urdhër të udhëheqjes jugosllave.

Nëse gjenden fajtor, Perkoviç dhe Mustaç mund të përballen me burgim të përjetshëm. Që të dy nuk pranuan të komentonin të premten por më parë i kanë hedhur poshtë akuzat. Gjatë paraqitjes në gjykatë ata nuk treguan asnjë lloj emocioni.

Refuzimi paraprak i Kroacisë lidhur me kërkesen gjermane për ekstradimin e tyre shkaktoi një mosmarrëveshje diplomatike vitin e kaluar që kërcënoi të linte në hije anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian. Pak para anëtarësimit në BE me 1 korrik 2013, përmes një veprimi që irritoi partnerët e bllokut, Zagrebi ndryshoi ligjet e veta për të parandaluar ekstradimin e të dyshuarve për krime të kryera para vitit 2002, kur edhe hynë në fuqi rregullat e reja të Bashkimit Evropian.

Qeveria tha në atë kohë se donte të mbronte veteranët e luftës kroate për pavarësi që mund të përballeshin me gjykime të mundëshme në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Zagrebi tha se vendimi nuk kishte lidhje me rastin e ish shefave të sigurimit.

I dyshuari Perkoviç ndihmoi në krijimin e agjencisë kroate të zbulimit pas shkëputjes nga Jugosllavia në vitin 1991.

Kroacia i ndryshoi ligjet e ekstradimit në muajin gusht pas paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian për veprime ligjore dhe mundësinë e humbjes së fondeve evropiane për zhvillimin.

XS
SM
MD
LG