Lidhje

Kadare nderohet me çmimin prestigjoz të Jeruzalemit


Shkrimtarit të shquar Ismail Kadare do t'i jepet Çmimi i Jeruzalemit për Lirinë e Individit në Shoqëri, njofton shtypi izraelit. Ky çmim letrar u jepet çdo dy vjet shkrimtarëve që trajtojnë në veprat e tyre temat e lirisë njerëzore në shoqëri.

Në të kaluarën, fitues të tij kanë qenë shkrimtarë që më vonë janë nderuar me Nobelin e letërsisë, si Bertrand Russell, Octavio Paz, V. S. Naipaul, John Maxwell Coetzee (Koc-zi) dhe Mario Vargas Llosa. Çmimi do t'i jepet Kadaresë më 8 shkurt nga kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat në hapje të panairit ndërkombëtar të librit. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe Presidenti izraelit, Reuven Rivlin.

Në motivacionin e jurisë thuhet mes të tjerash se "ndonëse Kadareja trajton tema dhe personazhe nga vendi i tij, kuptimi dhe rëndësia e tyre janë padyshim universale." Çmimi i Jeruzalemit shoqërohet me një shumë simbolike prej 10 mijë dollarësh.

Disa nga librat e Kadaresë, duke përfshirë Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, janë botuar edhe në hebraisht.

XS
SM
MD
LG