Lidhje

Trashëgimia e përzier e Presidentit Karzai


Presidenti afgan Hamid Karzai e ka drejtuar vendin e tij për më shumë se 12 vjet dhe së shpejti do të japë dorëheqjen në atë që pritet të jetë një dorëzim paqësor i pushtetit. Megjithëse ai largohet nga detyra pas një sërë arritjesh, analistët thonë se trashëgimia e tij nuk është e gjitha pozitive.

Hamid Karzai është presidenti i parë i Afganistanit i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ai preferohej nga udhëheqësit perëndimorë. Sepse ishte shumë ndryshe nga shefat ushtarakë dhe fondamentalistët fetarë që sundonin pjesë të vendit prej dekadash të tëra.

Ekspertja për Azinë Jugore Christine Fair:

"Ai bëri atë që askush tjetër nuk e kishte bërë. Ai drejtoi vendin gjatë një tranzicioni problematik, por megjithatë demokratik, dhe mbijetoi."

Forcat e udhëhequra nga SHBA-ja shpartalluan talebanët në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Zoti Karzai u zgjodh për të udhëhequr një qeveri të përkohshme, duke fituar më pas dy palë zgjedhje. Por ndërsa viktimat civile vazhduan të shtoheshin në luftën kundër talebanëve, marrëdhëniet e Presidentit Karzai me mbështetësit e tij perëndimorë u bënë gjithnjë e më të tendosura.

Ai thotë se ka respekt të madh për popullin amerikan, por ndihet ndryshe për qeverinë e tij.

"Unë kam ankesa dhe në disa raste zemërim, shumë zemërim, ndaj qeverisë amerikane, për mënyrën se si ata sillen me Afganistanin dhe me interesat e popullit afgan."

Presidenti amerikan Barak Obama ka premtuar se do të tërheqë trupat luftarake nga Afganistani së shpejti.

"Deri në fund të këtij viti afganët do të marrin përgjegjësi të plotë për sigurinë e tyre dhe misioni ynë luftarak do të përfundojë."

Presidenti Karzai ka refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje sigurie që do të lejonte rreth 10 mijë trupa amerikane të qëndronin në Afganistan.

Kjo shqetëson disa analistë si Graeme Smith:

"Nëse shteti shembet, nëse forcat e sigurisë vazhdojnë të humbasin terren kundër kryengritëve, trashëgimia e tij do të jetë një trashëgimi disi e përgjakshme."

Zoti Karzai ka pasur marrëdhënie të paqëndrushme me Pakistanin fqinj, duke akuzuar Islamabadin se lejon vendstrehime për grupet kryengritëse që sulmojnë objektiva brenda Afganistanit.

Analisti pakistanez Imtiaz Gul:

"Prania e presidentit Karzai në pallatin presidencial ka nënkuptuar fërkime të vazhdueshme me Islamabadin dhe unë mendoj se me ardhjen e një presidenti tjetër duhet të fillohet nga e para."

Gjatë qeverisjes së zotit Karzai ekonomia është rritur ndjeshëm, jetëgjatësia mesatare është rritur me 20 vjet dhe miliona gra kanë më shumë mundësi.

Megjithatë, korrupsioni mbetet i shfrenuar.

Analistja Christine Fair e Universitetit Georgetown, në Uashington:

"Ata që kanë njohuri të thella rreth tij ka gjasa ta konsiderojnë si një njeri të korruptuar që ka përfituar nga trupat tona ushtarake, që ka përfituar nga paratë tona dhe që nuk ka respektuar sakrificat tona."

Analistët thonë se sukseset e arritura nën Presidentin Karzai janë të brishta. Dhe me tërheqjen e trupave luftarake amerikane, Afganistani do të duhet të mbështetet tek forcat e veta.

XS
SM
MD
LG