Lidhje

Kerry, mbështetje për kompromisin në senat për Iranin


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shprehu mbështetje për një projekt-ligj kompromisi, i cili parashikon që çdo marrëveshje përfundimtare bërthamore me Iranin t'i nënshtrohet për shqyrtim Kongresit. Projektligji u miratua dje nga Komisioni i Senatit për Punët e Jashtme.

"Detyra e vështirë përpara nesh tani është mbyllja e negociatave me Iranin brenda dy muajve e gjysmë. Dje, në Uashington u arrit një kompromis në lidhje me rolin e Kongresit. Ne jemi të bindur në aftësinë tonë që presidenti të mund të negociojë një marrëveshje për ta bërë botën më të sigurtë," tha zoti Kerry.

Zoti Kerry i bëri komentet në prag të një takimi të Grupit të Shtatë ministrave të jashtëm në Gjermani.

Projektligji i miratuar dje nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit e shkurton nga 60 në 30 ditë kohën që Kongresit do t'i duhet për të shqyrtuar një marrëveshje me Iranin. Presidentit do t'i duhet të certifikojë çdo 90 ditë se Irani po i përmbahet kushteve të marrëveshjes. Sanksionet e përcaktuara nga Kongresi do të riviheshin në funksionim menjëherë nëse Irani shkel marrëveshjen.

Bob Corker, Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Senatit, tha:

"Unë besoj më shumë se kurrë se Kongresi duhet të luajë një rol që, në emër të popullit amerikan, para se të hiqen sanksionet e vëna nga Kongresi, të sigurohemi, në emër të popullit amerikan, se marrëveshja do të jetë diçka që e vë Iranin para përgjegjësisë, do të jetë e zbatueshme dhe transparente."

Kompromisi i djeshëm u miratua me 19 vota pro dhe asnjë kundër. Projekt-ligji tani i shkon Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve për votim në seancë të plotë.

Senatori demokrat Ben Cardin, numri dy i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë tha:

"Shpresoj se Shtëpia e Bardhë do të pranojë se kjo është një e drejtë e Kongresit. Shpresoj se administrata do të mbështesë këtë."

Shumë republikanë kishin kërkuar që Kongresi të mund të thoshte fjalën e tij në bisedimet bërthamore midis Iranit, SHBA, dhe pesë fuqive të tjera të mëdha botërore. Ata thonë se kjo i jep SHBA një dorë të fortë në negociata. Por administrata Obama kishte paralajmëruar se një gjë e tillë mund ta largonte Iranin nga tryeza e bisedimeve.

Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se Presidenti Obama ka gjasa ta nënshkruajë projektligjin.

Irani dhe i ashtuquajturi grup P5 plus 1, kanë afat deri më 30 qershor për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore përfundimtare.

XS
SM
MD
LG