Lidhje

Kerry në Tiranë: Mbështetje reformave


Sekretari amerikan i Shtetit: Vendi po lëviz në drejtimin e duhur. Vlerësime dhe për angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Diskutohet Reforma në Drejtësi. Takim dhe me kryetarin e opozitës Basha.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha sot në Tiranë se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat e ndërmarra dhe se vendi sipas tij është në rrugën e duhur. Duke folur pas takimit me kryeministrin Edi Rama, zoti Kerry nënvizoi se se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura dhe të gatshme që të jenë krah Shqipërisë në këtë transformim. Ai vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke veçuar përgjegjësitë e veçanta që vendi ka dhe në rajon si një anëtar i NATO-s. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Sekretari amerikan i Shtetit pati një takim dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe një grup deputetësh demokratë.

Vizita në Tiranë e Sekretarit të Shtetit, John Kerry
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:21 0:00

Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në Tiranë në orën 9:45 minuta. Në tapetin e kuq të shtruar në shkallët e avionit kishte dalë për ta pritur presidenti Bujar Nishani, një gjest i pazakontë nga pikëpamja protokollare. Ata qëndruan aty në këmbë për pak minuta gjatë së cilave, sic u njoftua më pas në një deklaratë, zoti Nishani “i shprehu mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike si dhe vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Menjëherë më pas, Sekretari amerikan i Shtetit u drejtua për në qendrën e kryeqytetit. Në godinën e qeverisë ai nisi takimet zyrtare fillimisht me Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Më pas shtrëngimi i duarve me Kryeministrin Edi Rama dhe disa minuta në zyrën e këtij të fundit. Në Sallën e Hartave, ku u zhvilluan bisedimet dy palëshe ishin katër ministra si dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, kryetar i delegacionit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA.

Angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe reformat e ndërmarra në vend ishin dy boshtet mbi të cilat u zhvilluan bisedimet. Sekretari amerikan mbërriti në Tiranë nga Mynihu i Gjermanisë, ku ai mori pjesë në takimin e nivelit të lartë për sigurinë, e ku në fokus ishte pikërisht Lindja e Mesme dhe nevoja për t’u përballur e mposhtur ISIS-in. ​ Mposhtja e ISIS nuk ka për të ndodhur thjesht për shkak të asaj që një vend i vetëm mund të bëjë. Kjo kërkon një koalicion të gjerë, dhe ne e kemi ndërtuar atë dhe Shqipëria, jam krenar dhe mirënjohës ta them, është anëtare themeluese në këtë koalicion. Shqipëria ka qenë aty që nga fillimi e gatshme për të qëndruar me të gjitha vendet për t‘iu kundërvënë ISIS-it”. Shqipëria, shtoi zoti Kerry, “nuk është thjesht një vend mik, por një vend anëtar i NATO-s dhe kjo sjell përgjegjësi të veçanta në rajon dhe jemi mirënjohës për anëtarësinë dhe partneritetin e saj në këtë aleancë”, u shpreh ai.

Por, më mirënjohëse është Shqipëria, e cila siç theksoi kryeministri Rama, “ka një lidhje speciale me Shtetet e Bashkuara, pa të cilat, as Shqipëria dhe as shqiptarët në tërësi nuk do të ishin sot më të respektuar se kurrë më parë në historinë e tyre”, tha ai. “Si miq, partnerë dhe aleatë të ngushtë, ne kemi punuar, jemi duke punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me NATO-n, Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Me Shtetet e Bashkuara nuk na ndan asgjë dhe na bashkon gjithçka. Trupat tona do të vazhdojnë misionin e tyre në Afganistan, përkrah atyre amerikane, e do të qëndrojnë aty së bashku me aleatin tonë të madh deri kur të jetë e nevojshme”.

Reformat e ndërmarra në vend zunë një pjesë të rëndësishme të deklaratës së Sekretarit amerikan të Shtetit, i cili foli për një përparim domethënës. “Prova është absolutisht e qartë dhe Shqipëria duhet të jetë e kënaqur, që vendi juaj po lëviz në drejtimin e duhur, ju jeni në rrugën e duhur. Jam besimplotë në vullnetin me të cilin është përqafuar legjislacioni që ka lidhje me luftën ndaj korrupsionit, jam i inkurajuar që reformat tuaja kanë marrë udhë”, u shpreh zoti Kerry.

Ai theksoi në mënyrë të veçantë miratimin e të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin, të cilin e konsideroi si një hap të rëndësishëm e kurajoz që pengon kalimin e kriminelëve në politikë. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Europian u angazhuan fort për këtë ligj, ashtu sikundër dhe për realizimin e reformës në Drejtësi. "Jam i inkurajuar shumë nga paketa e Reformës në Drejtësi që është duke u shqyrtuar për të përmirësuar gjyqësorin dhe për të lejuar një goditje më të madhe kundër korrupsionit. Dëshiroj të theksoj se kjo është dicka që udhëheqja juaj ka ndërmarrë, se ata po punojnë fort në mënyrë që të realizohet dhe janë të përkushtuar për një qeverisje më llogaridhënëse, dhe kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA janë absolutisht të përgatitura dhe të gatshme dhe jam këtu ta konfirmoj në emër të presidentit Obama që ne jemi me ju në këtë transformim dhe rrugëtim. Por, në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura e të ngulmojnë për zbatimin efektiv të tyre", nënvizoi Sekretari amerikan i Shtetit.

Edhe kryeministri Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi kishte qenë një nga pikat e diskutimit: “Objektivi ynë i përbashkët, edhe për shkak të implikimeve të drejtpërdrejta që ecuria e reformës ka në procesin e integrimit europian, është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend të paketës së ndryshimeve kushtetuese. Kam shumë besim se do t’ia dalim dhe fakti që nuk jemi vetëm, por me Shtetet e Bashkuara në krah, e bën krejtësisht të arsyeshëm optimizmin për sukses, në këtë ndërmarrje historike për Shqipërinë e shekullit të XXI-të”.

Pesha që Sekretari Kerry i dha veçanërisht reformës në Drejtësi, e bëri të qartë se kjo cështje do të ishte më pas temë qëndrore e bisedës dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Ky i fundit pas takimit deklaroi se “duke forcuar demokracinë e brendshme është investimi më i mirë, më i fuqishëm në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe gjithë rajonit. E në këtë kontekst është dhe ecja përpara me reforma shumë të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet, normat, standardet e pranuara bashkërisht, siç janë ato të Komisionit të Venecias, si dhe çështja kyçe e demokracisë shqiptare - çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat opozita kërkon angazhimin e partnerëve tanë si një reformë kyçe pa të cilën Shqipëria nuk mund të bëjë përpara”.

Sekretari amerikan i Shtetit gjeti disa momente për t’u përshëndetur dhe me qytetarë shqiptarë, fillimisht kur ai po shkonte drejt takimit me përfaqësuesit e opozitës, dhe më pas, në mbyllje të vizitës, pas përfundimit të një bashkëbisedimi me një grup të rinjsh shqiptarë. I nxitur nga insistimi i një qytetari nga Kosova, Sekretari amerikan i Shtetit, pati dhe një mesazh për Prishtinën: “Mesazhi im është. Vazhdoni të ecni përpara

XS
SM
MD
LG