Lidhje

Sekretari Kerry mbi zgjidhjen e krizës në Ukrainë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se ky është një moment kritik për Rusinë dhe separatistët pro-rusë për të respektuar marrëveshjen e paqes për Ukrainën Lindore. Sekretari Kerry i bëri komentet sot në Antalya të Turqisë ku ndodhet për takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s. Zoti Kerry tha se sanksionet ndaj Rusisë nuk janë alternativa e preferuar e perëndimit, por në se lind nevoja do të përdoren në përpjekje për të siguruar respektimin e marrëveshjes. Sekretari Kerry shprehu shpresë se Presidenti Putin, Rusia dhe separatistët do të bashkëpunojnë me qeverinë e Ukrainës për të siguruar respektimin e plotë të marrëveshjes së paqes. Sekretari amerikan i Shtetit i bëri komentet gjatë qëndrimit në Antalia të Turqisë, ku ndodhet për takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, pas bisedimeve me presidentin, si dhe ministrin e jashtëm rus dje në Soçi.

Kryediplomati amerikan u takua me Presidentin Putin në qytetin turistik Soçi pas takimit me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov. Dy palët pohuan qëndrimet e ndryshme lidhur me zhvillimet në Siri dhe Ukrainë, por theksuan edhe nevojën për zgjidhje politike:

“Nga Komunikata e Gjenevës e deri tek eliminimi i armëve kimike në Siri, e kemi parë se çfarë ndodh kur Rusia dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku”.

Rusia mohon se po ndihmon me furnizime ushtarake kryengritësit ukrainas.

Por shefat e diplomacisë Kerry dhe Lavrov theksuan pikëpamjet e përbashkëta:

“Ka disa mosmarrëveshje mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që e kanë zanafillën tek kriza në Ukrainë dhe shkaku i kësaj situate, por ne i përmbahemi të njëjtës pikëpamje se zgjidhja duhet gjetur tek mënyrat paqësore”.

Një raport i opozitës ruse thotë se Kremlini ka shpenzuar miliarda dollarë për të financuar kryengritësit në Ukrainë dhe për të dërguar forca shtesë dhe se të afërmit e ushtarëve të vrarë mbahen të heshtur me kërcënime ose shpërblime monetare:

“Rusia ka pësuar dëme të mëdha politike si rezultat i kësaj manovra të dyshimtë gjeopolitike që filloi Putini në Ukrainën lindore”.

Raporti u hartua nga udhëheqësi i opozitës Boris Nemtsov, i cili u qëllua për vdekje në shkurt pak metra larg Kremlinit.

Që kur filluan luftimet në Ukrainën lindore, më shumë se gjashtë mijë vetë janë vrarë.

Analistët politikë thonë se vizita si ajo e zotit Kerry mirëpriten në Rusi pasi, megjithë veprimet e Kremlinit në Ukrainë, Presidenti Putin dëshiron ta paraqesë qeverinë e tij si paqedashëse dhe të hapur për dialog.

Ai gjithashtu synon t’i kthejë Rusisë statusin që kishte gjatë Bashkimit Sovjetik, kur Rusia trajtohej si një fuqi me peshë të barabartë si Shtetet e Bashkuara në marrëdhëniet globale.

Por parada e 9 Majit me shpalosjen e forcës në stilin sovjetik sinjalizon se zoti Putin do t’u kujtojë atyre që kërcënojnë interesat e Rusisë, forcën ushtarake që ai ka në dorë si komandant i ushtrisë ruse.

XS
SM
MD
LG