Lidhje

Rëndësia e qytetit Kobani


Luftimet e ashpra ndërmjet militantëve të Shtetit Islamik dhe forcave Kurde vazhdojnë përreth qytetit sirian Kobani, pranë kufirit me Turqinë. Ndërkohë, OKB-ja ka paralajmëruar se qindra civilë do të masakroheshin nëse qyteti do të bjerë në duart e militantëve. Por cila është rëndësia strategjike e këtij qyteti?

Megjithëse sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë elektrizuar mbrojtjen kurde, është rritur frika se qyteti do të bjerë së shpejti tërësisht në duart e Shtetit Islamik.

Kurdët po e mbrojnë qytetin për arsye të forta, thotë Michael Stephens, kreu i Institutit Mbretëror në Katar.

“Udhëheqësi i partisë më të madhe kurde në Siri ka lindur në Kobani. Ka pra një lidhje emocionale dhe politike. Është një sinjal vendosmërie për të mbrojtjen zonat de fakto autonome të fituara nga një betejë e zgjatur në Siri.”

Kobani është një sprovë për autonominë kurde, thotë profesor Ibrahim Sirkeci i Universitetit Regency në Londër.

“Kanë krijuar komunat e tyre atje, dhe është pra një lloj rasti studimor për vetëqeverisjen.”

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura, paralajmëron se janë në rrezik jetët e rreth 700 civilëve që ende jetojnë në qytet. Ai i bën thirrje Turqisë të lejojë drejt Kobanit luftëtarët vullnetarë kurdë.

“Duam t’u bëjmë thirrje autoriteteve turke të lejojnë të paktën lëvizjen e vullnetarëve dhe paisjeve të tyre, që të munden të hyjnë në qytet dhe të kontribuojnë për vetëmbrojtjen.”

Kurdët në Turqi kanë reaguar me zemërim ndaj qëndrimit të Ankarasë dhe akuzojnë qeverinë se mbështet Shtetin Islamik. Demostratat në disa qytete kanë shkaktuar dhjetëra të vdekur.

Separatistët kurdë të njohur si PKK kanë luftuar prej dekadash kundër shtetit turk, deri kur filluan bisedimet vitin e kaluar.

Profesor Sikerci thotë se Ankaraja i ruhet forcimit të kurdëve.

“Nëse mbështetet PKK-ja ose luftohet kundër ISIS sot, kjo do të thotë të forcohet për pasojë PKK-ja, duke i dhënë një rol më të madh në negociata me Turqinë.”

Ankaraja nuk ndan pikëpamjet e Perëndimit për aleancën me kurdët, thotë Michael Stephens.

“Kanë bërë llogaritë që ISIS dhe administrata kurde në Siri janë të dyja segmente negative, dhe nëse ISIS fiton do të jetë ndoshta e keqja më e vogël.”

Por, zoti Stephens thotë se lejimi i rënies së qytetit Kobani do të kthehet kundër Turqisë.

“Mendoj se në perspektivën afatgjatë, është një politikë shkatërrimtare, pasi ekzistojnë dhe dy kantone të tjera kurde në Siri, shumë më të mëdha dhe me mbrojtje shumë të mirë. Ato nuk do të bien. A do të jenë ato miqësore ndaj Turqisë në të ardhmen? Absolutisht jo.”

Turqia thotë se çfarëdolloj ndërhyrjeje në Siri duhet bërë në mënyrë shumëpalëshe se bashku me partnerët në NATO, dhe duhet të përfshijë dhe veprimet kundër forcave qeveritare në presidentit sirian Bashar al-Assad. Analistët bien dakort se me zhvillimin e mëtejshëm të konfliktit, nuk do të ketë përgjigje të thjeshta.

XS
SM
MD
LG