Lidhje

OBSH, udhëzues i ri për kontraceptivët


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se duhen respektuar të drejtat e njeriut kur është fjala për përdorimin e kontraceptivëve. Organizata ka lëshuar udhëzime të reja për formuluesit e politikave dhe kompanitë e sigurimeve shëndetësore në kuadrin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se mbi 220 milionë gra nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre për të përdorur kontraceptivët më të fundit. Shumë prej tyre u përkasin shtresave të varfëra, të prekurve me virusin HIV dhe gratë e zhvendosura nga konfliktet, ose për shkaqe të tjera.

Dr. Marleen Temmerman është mjeke gjinekologe dhe drejtoreshë e Departamentit të Kërkimeve dhe Shëndetit të Riprodhimit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

"Është hera e parë që ka një udhëzues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku termi të drejta të njeriut është në titull dhe jo vetëm atje, por edhe tek përmbajtja e udhëzimeve. Në raportin e ri përfshihen udhëzime për përdorimin e kontraceptivëve në aspektin mjekësor, sa të sigurta janë ato, cilat janë kriteret për legjitimitetin e tyre mjekësor, cilat janë efektet negative të përdorimit, e të tjera. Gjithashtu, në raportin e ri ne pasqyrojmë udhëzimet për kontraceptivët, bazuar tek koncepti i mbrojtjes së të drejtave të njeriut."

Mjekja Temmerman thotë se në hartimin e udhëzuesit është mbajtur parasysh që të respektohen parimet e të drejtave të njeriut, si pranimi, qasja, mundësitë financiare, zgjedhja, pëlqimi dhe miratimi nga individët për përdorimin e kontraceptivëve, si pika kryesore të tij.

Udhëzuesi rekomandon që grave dhe vajzave t'i sigurohet kujdes shëndetësor që të përfshijë edukatën seksuale dhe njohuri për procesin e riprodhimit, përfshirë informacione për planifikimin familjar dhe metodat kontraceptive.

Dr. Temmerman thotë se qasja tek kontraceptivët është bërë pjesë e rëndësishme e agjendës politike gjatë viteve të fundit.

"Po t'i hedhësh një vështrim Synimeve të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, i pesti në listë është pakësimi i vdekshmërisë së nënave. Dhe kjo, natyrisht, lidhet me kujdesin më të mirë gjatë shtatzanisë tek gratë, gjatë lindjes, por gjithashtu edhe për të drejtën e gruas për të vendosur se kur ajo dëshiron të mbetet shtazënë dhe sa fëmijë do që të ketë."

Ajo thotë se miliona gra duhet të kërkojnë lejen e bashkëshortëve kur përdorin kontraceptivë, ndërsa vajzat adoleshente duhet të marrin leje nga prindërit, apo personat që kujdesen për to. Po ashtu, thotë mjekja, edhe shumë djem adoleshentë nuk kanë qasje tek mjetet moderne kontraceptive.

Dr. Temmerman thotë se gratë dhe vajzat shpesh nuk kanë fuqinë të vendosin për shtatzaninë e tyre.

Ajo thotë se vajzat adoleshente që mbeten shtatzënë mund të ndeshen me rreziqe të mëdha. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se ka 16 milionë gra të moshës 15-19 vjeçare që lindin çdo vit. Thuajse të gjitha lindjet ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Dr. Temmerman thotë se shpesh vajzat ndeshen me komplikacione gjatë shtazanisë, si dhe me pasoja negative, si hemorragji, preken nga virusi HIV, si dhe infeksione të tjera të transmetueshme përmes marrëdhënieve seksuale. Pasoja të tjera janë çrregullimet mendore, apo depresioni.

Dr. Temmerman thotë se vendet ku gratë dhe vajzat kanë qasje tek kontraceptivët modernë shpesh kanë më pak probleme se sa vendet që nuk i ofrojnë këto mundësi.

"Duhet të shohim statistikat. Rezulton se vendet që ofrojnë edukatë seksuale dhe informacione për popullsinë dhe fëmijët në shkolla, vendet që ofrojnë shërbime për adoleshentet dhe gratë, kanë shifrat më të ulëta të shtatzanisë së padëshiruar, si dhe të mortalitetit tek nënat. Pra në aspektin e shëndetit, këto vende paraqiten më mirë."

Mjekja Temmerman thotë se përveç përfitimeve tek shëndeti i njerëzve nga investimi për shërbimet riprodhuese, vendet përfitojnë më tepër ekonomikisht, kur ato kanë një forcë pune produktive.

Sipas udhëzuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shërbimet për shëndetin seksual dhe të riprodhimit, duhet të ndihmojnë që të ketë një vendimmarrje bazuar tek informacionet e plota, tek respektimi i dinjitetit njerëzor, i autonomisë, privatësisë, dhe respektimi i konfidencës. Në raport thuhet se duhet treguar kujdes për të qenë të ndjeshëm ndaj nevojave të individëve.
XS
SM
MD
LG