Lidhje

Kopsht surrealist në xhunglën meksikane


Një kopsht në zemër të një pylli tropikal në Meksikë vazhdon të mahnisë vizitorët tridhjetë vjet pas vdekjes së pronarit të tij. Kompozimi i tij i veçantë përmban bimë gjigante, shatërvane dhe lule: të gjitha prej betoni.

Në mes të xhunglës meksikane një portë në formë unaze fton vizitorët në botën misterioze të Las Pozas. Shkallë që ngjiten lart, lule prej betoni dhe shatërvane me forma nga më të ndryshmet shërbejnë si kujtesë e imagjinatës surrealiste të të ndjerit Edward James, një artist vizionar, poet dhe kopshtar.

Ai ishte përkrahës i artit të Salvador Dali, por mik e koleksionist veprash edhe i artistëve të tjerë kryesorë surrealistë të viteve 1930, si Rene Magritte dhe Max Ernst.
Kompleksi i tij 40 hektarësh në shtetin meksikan të San Luis Potosi-t, është pjesërisht xhungël, pjesërisht kopsht dhe pjesërisht kryevepër surrealiste. Lule të shumëllojshme prej betoni, skulptura të larta, struktura të stilit të Majave dhe ujëvara natyrore kombinohen duke krijuar një peisazh të veçantë.

Pa plane specifike për ndërtimin e kopshtit, punimet u ndalën kur Edward James vdiq në vitin 1984, kujton drejtoresha e Las Pozas, Zaira Linan:

"Kanë kaluar tridhjetë vjet tashmë, kanë kaluar tre dekada që kur punimet e ndërtimit u ndalën. Dhe rreth gjashtë vjet më vonë, kopshti hapi dyert për publikun, sepse kur Edward James jetonte ende, ky ishte kopshti i tij privat."

Edward James u transferua në Meksikë në vitet 1940 me ëndrrën për të krijuar një "Kopsht të Edenit", por kur orkidetë e tij të çmuara u thanë për prej një acari, ai vendosi të merrej me krijimin e luleve që mund t’i rezistonin acarit: pra, prej betoni. Udhëzuesi turistik i kopshtit Carlos Barbosa shpjegon:

"Pasi i thanë që lulet ishin prishur prej ngricës, ai iu përgjigj punëtorëve: ‘atëheqë bëjini prej betoni, që të mos i ndodhë më asgjë asnjëherë.’ Pra filloi si një lojë, si një shaka, por më vonë u bë realitet. Tani kjo njihet si bioarkitekturë."

Kur ishte gjallë, Edward James vendosi që pronat e tij në Meksikë t’i jepeshin fëmijëve të Plutarco Gastelum, meksikani që drejtoi punimet e ndërtimit të Las Pozas. Famulli i zotit James , Plutarco Gastelum i riu trashëgoi kopshtin me skulptura dhe u kujdes për të për shumë vite. Në vitin 2007 ai vendosi t’ia japë pronën një fondacioni që mund të vazhdonte të kujdesej për të.

Zoti Gastelum ende jeton aty pranë dhe kujton fare mirë personalitetin e koleksionistit britanik të artit surrealist.

"Ne e konsideronim xhaxhain tonë, një xhaxha magjik dhe shumë i dashur. Më vonë kam lexuar biografitë e tij dhe duket sikur jo shumë njerëz e kanë parë këtë aspekt të tij. Me ne ai ishte i sjellshëm dhe ne e thërrisnim xhaxhi Eduardo. Isha i rritur në kohën kur më në fund pyeta pse kisha unë kisah një xhaxha britanik dhe më thanë se ai ishte nuni im," thotë zoti Gastelum duke qeshur.

Kanë kaluar tridhjetë vjet dhe historia e tij ende tërheq qindra turistë në këtë kopsht me skulptura surrealiste.
XS
SM
MD
LG