Lidhje

Shqetësime për kapacitetet bërthamore të Phenianit


Po shtohen shqetësimet se Korea e Veriut mund të jetë në përgatitje për një tjetër provë me armë bërthamore. Por, një shkencëtar i njohur i energjisë bërthamore thotë se Pheniani mund të ketë në disponim një pajisje mjaft të vogël që mund të instalohet në kokën e raketës.

David Albright, president i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkomëtare shpjegon se Pheniani nuk ka nevojë për prova të reja për të siguruar një raketë me mbushje bërthamore.

"Besoj se është gabim të mendohet se u nevojiten prova të tilla për të projektuar një raketë me mbushje bërthamore. Mendoj se mund ta kenë siguruar një pajisje të tillë nga Kina apo Pakistani”.

Por zoti Albright, i cili ka punuar edhe si inspector i Agjencisë për Energjinë Atomike tha se nuk përjashton mundësinë që Korea e Veriut të bëjë një provë tjetër.

"Ajo që nuk mund të arrijnë pa prova është të parashikojnë sa funksionale është raketa. Për këtë arsye prova bërthamore është shumë e nevojshme për të parë si funksionon gjithçka”.

Këto komente bëhen ndërkohë që janë shtuar spekulimet për kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut, të nxitura nga paralajmërimet e Phenianit se do të zhvillojë prova të reja bërthamore.
XS
SM
MD
LG