Lidhje

Miniraketat koreano-veriore: A janë ato një rrezik?


Analistët që i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Korenë e Veriut thonë se Pheniani ka bërë përparim në sistemet e hedhjes së raketave që mund të arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton nga Seuli se zhvillimi i paisjeve bërthamore në miniaturë dhe rekatahedhësve të padiktueshëm po ngre shqetësim tek zyrtarët ushtarakë amerikanë.

Ditët e fundit, gjenerali i ushtrisë Curtis Scaparrotti, komandant i forcave amerikane në Kore tha në Uashington se Koreja e Veriut ka lidhjet dhe teknologjinë e nevojshme për të zhvilluar një armë bërthamore në miniaturë që mund të lëshohet nga një raketahedhëse e lëvizshme.

Bruce Bechtol, profesor në Universitetin Shtetëror Angelo në Teksas dhe president i Këshillit Ndërkombëtar për Studimet Koreane i tha Zërit të Amerikës se analistët e Koresë së Veriut, prej vitesh kanë pasur bindjen se ai vend e ka një teknologji të tillë.

“Koreja e Veriut ka një program për pasurim të uraniumit në nivele të larta. Ata ndoshta e kanë përshtatur atë për t’u përdorur në armë që në vitin 2010. Cka do të thotë që ata ndoshta kishin një paisje aq të vogël sa mund të vihej në një raketë Nodong, që para katër vjetësh”.

Nodong ose Rodong 1 është një raketë koreano-veriore me rreze të mesme veprimi që mund të arrijë deri në Japoni.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për zhvillimin e një arme bërthamore në miniaturë, Bechtol thotë se edhe më shqetësuese janë planet për raketën koreano-veriore me rreze të gjatë veprimi, KN-08 që mund të godasë Shtetet e Bashkuara, si edhe për përparimin në zhvillimin e raketahedhësve të lëvizhëm që janë të vështira për t’u diktuar nga satelitët.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara, sidomos për raketën e lëvizshme me rreze të gjatë veprimi që kanë koreano-veriorët, KN-08 dhe unë besoj se kjo ishte dicka e befasishme që doli në dy vitet e fundit”.

Duke shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit, Koreja e Veriut ka bërë disa prova bërthamore dhe ka lëshuar disa raketa me rreze të shkurtër veprimi, si dhe ka hedhur një satelit të vogël në hapësirë.

Disa grupe që janë në favor të masave më të rrepta të mbrojtjes kundër rrezikut në rritje koreano-verior thonë se ushtria amerikane duhet të marrë masa parandaluese si për shembull bombardim të vendeve ku janë raketat koreano-veriore.

Analisti i çështjeve të Koresë së Veriut, Sergey Radchenko, në Universitetin Aberystëyth të Britanisë, nuk është dakord, duke thënë se një goditje parandaluese kundër Koresë së Veriut, nuk është alternativë pasi do ta fuste rajonin në luftë.

“Ata që janë më agresivë në nxitjen për masa më të forta, kundërshtohen nga ata që thonë që nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë, për shkak të pasigurive të mëdha lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe faktit që ata kanë edhe aftësi konvencionale”.

Këta analistë thonë se zhvillimi i armëve bërthamore të vogla, raketave dhe raketahedhësve të lëvizshme, janë një kërcënim në rritje. Por ata thonë se parashikojnë që Uashingtoni t’u bëjë ballë këtyre kërcënimeve me një strategji të një pranie të fortë ushtarake në Korenë e Jugut dhe përdorimin e sanksioneve, si edhe premtimin për ndihma si mënyrë për të bindur Korenë e Veriut për të moderuar politikat e veta militariste.

XS
SM
MD
LG