Lidhje

Kosova e quan historike vizitën e Papa Françeskut


Në vlerësimet e bëra kësaj vizite thuhet se ajo nxjerr në pah modelin unik të bashkëjetesës fetare të shqiptarëve

Mediet në Kosovë i dhanë jehonë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në pritjen për të cilin kanë marrë pjesë edhe shumë qytetarë nga Kosova. Udhëheqësit politik të Kosovës e kanë cilësuar ndërkaq, vizitën si historike. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thekson në një deklaratë të tij se “vizita e tij nxjerr në pah modelin unik të bashkëjetesës fetare të shqiptarëve, qe duhet të shërbejë si shembull për gjithë botën. Kjo ngjarje dëshmon gjithashtu përcaktimin e popullit tonë për t’u orientuar strategjikisht drejt Perëndimit”.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e cilësuar vizitë të rëndësisë së veçantë dhe historike, theksin se “pas vizitës së Papa Gjon Palitit të II-të, në vitet '90, ardhja e Papa Françeskut në tokën shqiptare shënon një moment tjetër të rëndësishëm të raporteve të ngrohta dhe të afërta midis shqiptarëve dhe Vatikanit, midis kombit tonë dhe botës perëndimore, në përgjithësi. Shqiptarët, si popull me harmoni dhe mirëkuptim historik ndërmjet besimeve, i kanë dhënë botës dhe krishterimit, po ashtu, njerëz të mëdhenj, që në kohë të ndryshme me kontributin e tyre u shquan në mbrojtjen dhe sublimimin e vlerave të vërteta njerëzore. Shqiptarët, në këto relacione, i kanë dhënë Evropës dhe qytetërimit perëndimor, heroin kombëtar dhe të Evropës, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, e në ndërkohë dijetarët e mëdhenj të shekujve, si Pjetër Bogdani, e deri te humanistja e madhe, Nënë Tereza”, thuhet në deklaratën e zotit Haradinaj.

Në deklarimet rreth kësaj vizite. nënvizohet përkushtimi i shqiptarëve si komb ndaj “vlerave të lirisë, paqes, humanizmit, tolerancës dhe mirëkuptimit midis njerëzve”.

Udhëheqës politik, po ashtu kanë bërë thirrje që Vatikani të njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008.

XS
SM
MD
LG