Lidhje

Demaçi: Gjykata në të mirë të askujt


Veprimtari i njohur Adem Demaçi thotë se një gjykatë e posaçme për krime lufte në Kosovë është e dëmshme edhe për aleatët e saj

Në Kosovë diplomatët perëndimorë po diskutojnë më përfaqësuesit politikë rrugën e krijimit të një gjykate të posaçme për trajtimin e pretendimeve të ngritura në një raport të Këshillit të Evropës për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çështja pritet të hidhet për miratim në Parlament javën që vjen. Veprimtari i njohur shqiptar Adem Demaci, i cili gjatë luftës ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cilëson të dëmshme këtë gjykate. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se themelimi i saj nuk është as në interesin e aleatëve perëndimorë.
Intervistë me veprimtarin e njohur shqiptar Adem Demaçi
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:13 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Demaçi, këto ditë Kosova pritet të miratojë themelimin e një gjykate të posaçme për krime lufte. Si e shihni këtë gjykatë?

Adem Demaçi: Shikoni, unë krejt këto punë i shikoj me një sy tjetër fare. Sa vjet qëndroi këtu EULEX-i me krejt të drejtat e veta më burgosë kë të dojë, më dënua këtë të dojë. Nuk i mjaftuan kaq vjet të hapë hetime për kë ka dashur për kë ka pasur. Krejt kësaj nuk po i vjen era bash mirë. Mua po më duket se miqtë tanë, siç po u them këtyre të Evropës, Evropa nëna jonë e madhe dhe miqtë tanë tradicional amerikan, nuk po e kuptojnë këtë popullin tonë. Nuk po kuptojnë që kjo po krijon tek populli ynë do farë sikletesh që ata prej zyrave të tyre nuk munden me i pa e as me i dëgjue. Pati mjaft kohë për me hapë hetimet. A nuk po u mjaftojnë hala ato fjalët e Dick Martyt që i u folën në KE, është një çudi e madhe, nga i erdhën atij ato informata. Ato informata i ka dhe i vijnë prej Serbisë. Hala po na shkarravitë bota dhe po don të na shkarravisë ende. Nuk po them që në atë luftë nuk ka pasur mundësi më u bë krime individuale, por gjeneralisht, duke filluar prej meje, prej zyrës, prej bisedave të mia që i kam pasur në Shtab, me krejt këta komandantët, të gjithëve u kam thënë dhe të gjithë e kanë pranuar: që duhet t’u përmbahemi rregullave të Gjenevës dhe të mos bëjmë ne krime. Nëse bëjnë ata krime, ata mbesin fajtorë dhe në nuk guxojmë të hyjmë në të njëjtën lojë sikurse bëjnë ata.

Zëri i Amerikës: Por, edhe ideja për themelimin e kësaj gjykate thuhet se ka të bëjë me individët dhe jo me UCK-në?

Adem Demaçi: Po, por UCK-ja formohet prej individëve. Në qoftë se ti i dënon, një gjeneral, e dy gjeneralë e bëhen pesë a gjashtë a shtatë apo tetë, atëherë po del se e meta e njerëzve të thjeshtë është me i përgjithësue sendet: thonë, ja të tërë janë kësi fare. Kur ka bërë gjenerali kështu, të tërë bëjnë kështu. Nuk është kjo rruga e shpëtimit të Serbisë. Nuk shpëtohet Serbia duke ia bërë qejfin e duke u munduar Serbia t’i fajësojë shqiptarët. Por, duhet të përjetojë Serbia fajin e vet, duhet të dijë se është vet fajtore. Krejt për çka formohet e duhet të formohet, se ka marrë fund kjo, kanë vendosur ta formojnë, ky farë gjyqi, krejt ato faje i takojnë Serbisë. Krejt Serbia i ka bërë ato të zeza. Edhe më shumë se sa ato. Ku janë ato shpërnguljet tona, ato dyndjet e shqiptarëve biblike që thoshim ne? Kush i bëri ato? Ku shkoi Ukshin Hoti, heroi jonë i luftë dhe paqes, ku humbi ai njeri? Kush janë ata që e bënë atë farë pune? Ja ende tash po del ne sheh se kush e vrau (Slavko) Curuvijan. Tash po del në shesh se kush e vrau Curuvijan. Me fjalë të tjera, ky gjyq është dashur të formohet për Serbinë, e jo të merren shqiptarët. Nuk do të mbërrijnë kurrfarë efekti me këtë punë. Nëse kanë konkretisht të dhëna, materiale, fakte, le t’i marrin. Mos të bëjnë zhurmë. E kanë këtu EULEX-in. EULEX-i ka të drejtë të burgosë çdokënd në Kosovë dhe nuk ka nevojë të bëjnë parada këtu jo me tribunale jo këndej jo andej, jo një atje, jo dëshmitarët i fshehim etj. Edhe pse dihet se janë bërë disa manipulime të këqija me dëshmitarë. Ju e dini që edhe në gjyqet tona këtu në Prishtinë kanë dalë njerëz që kanë thënë që më kanë premtuar këtë e atë, me më dërgue atje, me më dhanë pare kështu, deklaro kështu etj. Me fjalë të tjera është e mundur që të manipulohen, sepse njerëzit e shkretë manipulohen kur e gjejnë veten ngushtë. Kështu që nuk është mirë aq për nënën tonë Evropë e as për miqtë tanë amerikan me hy këtyre fellutave. Po nëse kanë fuqi ata le ta bëjnë tribunalin për të dyja palët. Edhe për serbët edhe për shqiptarët dhe aty çfarë të gjejnë le t’i marrin. Përndryshe kur drejtohet gjyqi për UCK-në po merr konotacion të gabuar krejt dhe po krijon kundër efekte.

Zëri i Amerikës: Ju thatë edhe vet që keni kundërshtuar vazhdimisht pohimet e zotit Marty. A nuk është kjo gjykatë një mundësi për ta spastruar tërë atë hamendësim që është ngritur ne pohimet e tij?

Adem Demaçi: A nuk ishte EULEX-i mjaft sa vjet këtu me i spastrue këto sende, por po u dashka tash edhe gjykatë e re? Ku na shkuan gjithë këto vjet? Nëse kanë pasur fakte, le t’i nxjerrin ato fakte. Jo të luajnë “majtap” me na kalue shtatë- tetë vjet kot e tash po i bie ndërmend dikujt me e formue njëfarë tribunali për t’i bërë qejfin Serbisë dhe të bëhemi gaz. Po bëhet gaz se kur thotë një Evropë, kur thotë një Amerikë që deshët ju s’deshët në do ta formojmë këtë punë, ku po mbetet demokracia këtu? Çfarë shteti qenkemi ne? Kur u bë ky farë shteti që nuk e pyet askush se çka duhet bërë e si duhet bërë? A s’kanë pasur mundësi të ndikojnë këta që po bëjnë presion tash mbi shqiptarët, me ndikue tek udhëheqësit tanë t’u thonë: shiko, ju filloni vet dhe thoni që po i hapni hetimet vet për atë çfarë ka thënë Dick Marty etj. Jo tash të bëhet njëfarë parade e të krijohet njëfarë antishqiptarizmi këtu. Ky popull i thjeshtë sa ora elektrizohet. Nuk janë këta tulla. Edhe këta e kanë mendjen e vet. Edhe këta e kanë njëfarë krenarie të veten. Kështu që me ardhë në këtë farë mënyre me e poshtrue krejt një popull dhe krejt një shtet me e ba kurrgjë hiq, nuk është në interes të askujt, sepse të gjithë kanë investuar për krijimin e këtij shteti. Nuk është mirë së pari Amerika e madhe, mikja jonë e madhe që ka investuar kaq miliarda edhe Evropa. Kanë investuar shumë për të luajt “majtap” me krejt çfarë kanë investuar për t’i humbur për një ditë.

Zëri i Amerikës: Thatë edhe vet se kjo tashmë është çështje e kryer. A mendoni se duhet të votohet në parlamentin e Kosovës, për të shmangur Këshillin e Sigurimit?

Adem Demaçi: Unë po të isha e di si do të bëja, por këtë nuk mund ta bëjnë se janë karrieristë krejt, unë kisha thënë, që po e lëmë ne, po jap;im dorëheqje krejt, po tërhiqemi me parlament me qeveri me krejt. Meqë ka ardhur puna deri këtu sa që ju nuk po e bëni hesap këtë popull dhe neve nuk po na vini ne hesap, atëherë ja: bëjeni, burgosini, vendosni si të doni, ne nuk do të marrim pjesë. Por, nuk kanë fuqi këta ta lënë pushtetin se mezi kanë mbërri në atë farë pushteti. I kanë bërë njëqind ekzibicione për të hipur në pushtet. Kështu që ata nuk mund ta bëjnë këtë. Kështu që, po them, kjo punë është shumë nënçmuese për krejt një popull për krejt një Kosovë. Këtu kemi problem më një popull të ndarë në dy pjesë. Është një pjesë që ka kapitulluar me kohë. Është pjesa e atyre njerëzve që kanë bashkëpunuar me okupuarin serb me 20 e 30 vjet. Ata nuk kanë besuar se ka mundësi të luftohet e fitohet kundër Serbisë. Është pjesa tjetër që ka pasur besim dhe fuqi me e flijue veten. Pesë mijë njerëz i kemi o vëlla që me pushkë në dorë kanë vdekur nëpër fronte. Ku po i lëmë ata njerëz? Nuk ka nevojë për parada këso fare dhe me e qitë në bankën e zezë krejt një shtet, krejt një popull për t’i bërë qejfin Serbisë, ose Dick Martyt, apo kujtdo. Kjo do të jetë gabim i madh nëse e bëjnë, sepse mund t’i shkojë mendja njeriut të thotë: çfarë po bëjnë amerikanët me neve? Çka po bënë kjo Evropë me neve? Deri kur duan të bëjnë hajgare me neve? Mjafton kështu t’i shkojë mendja njeriut dhe krijohet njëfarë akulli mes nesh edhe amerikanëve, mes nesh dhe evropianeve. Kjo nuk është mirë as për neve, as për amerikanët, as për evropianët.

Zëri i Amerikës: Ekziston një rrezik i tillë?

Adem Demaçi: Ekziston një rrezik i tillë mes popullit, mes njerëzve të thjeshtë që po thonë, çka u bë baca Adem? Çka po duan këta tani? A pak burgosi EULEX-i a? Pak ju dok kjo por duan të krijojnë edhe diçka tjetër? Jo me krijue këtu një degë, e jo me krijue atje. Serbët po kërkojnë një degë edhe në Beograd që të kontrollojnë ata tash çfarë po bëhet. Si është e mundur që një regjim fashist që i bëri gjithë ato krime, të bëhet partner i Evropës dhe Amerikës? Kurse ne të shkretët, viktimat e shkreta që pësuam njëqindmijë të zeza, të bëhemi objekt i gjyqeve, objekt i hapjes së do farë fajësimesh që na vijnë më sugjerimet e shpifjet e Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Demaçi, këtë javë mbushet një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e shihni ju këtë proces?

Adem Demaçi: Unë mendoj se tash me këtë kthesën që u bë në popullin serb, me ardhjen e (Aleksandër) Vucicit, me fitoren shumë të madhe duke ja treguar ai të vërtetën sepse është i pari serb udhëheqës që thotë se politika jonë 200 vjeçare ishte e gabuar, i pari serb që ka deklaruar para Evropës e para botës se “turpërohet për të kaluarën nacionaliste” tash po krijohen kushtet. Ky vit e këto bisedime të imponuara nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh. Tek e fundit e kemi parë që Serbia nuk po i zbaton asnjërën prej tyre. Në po i zbatojmë, Serbia nuk po i zbaton. Ende nuk po teret boja e nënshkrimeve të tyre, këtu po dalin po i bëjnë njëqind dredhi, mohime e lodra me ato vendime. Me aso mënyra me serbët nuk mund t’ia dalim në krye. Duke ju bërë lëshime serbëve ne nuk mund t’i demokratizojmë serbët.

Zëri i Amerikës: Zoti Demaçi, kohët e fundi janë shtuar shqetësimet për përfshirjen e shqiptarëve në luftëra të huaja si ajo e Sirisë. Çfarë qëndrimi duhet të mbajë Kosova ndaj kësaj çështjeje?

Adem Demaçi: Prap është këtu faji i miqve tanë. Po ju japin terren e mundësi me na ardhë mjekroshët, qysh po i quan populli, “trefërtalshat”, prej Londre e prej andej e këndej më i tubue njerëzit me ba kërkesa, madje dojshin të vijnë edhe në pushtet. Jo e duam xhaminë këtu, jo e duam këtë këtu jo kërkesa të tjera. Flasin disa hoxhë e mbajnë “vaize” shumë të rrezikshme, shumë cytëse. Shkojnë e gjejnë do të shkretë, do të mjerë e do fukarenj etj, do vajza e do gra e, i shtinë t’i vënë shamitë atje e andej e këndej. Kjo krejt po bëhet para syve tanë. Ju kujtohet ai hoxha që i kishte bërë në Drenicë 5- 600 nxënëse që u ka dhënë diçka do pare e etj? Mes një mijë njerëzve pa e gjetur një njeri anormal që është në gjendje qorrazi me të dëgjue dhe të bëjë çfarë t’i thuash, është e pamundur. Çka do të ndodhte me Prishtinën për shembull me eksplodue një ditë ku tubohen njerëzit më u vesh dikush me dinamit dhe me eksplodue aty qindra njerëz që as nuk i njeh as nuk i di? Këto sende nuk po i mendojmë, por duhet prerë mundësinë e ardhjes e veprimit të atyre njerëzve, vëllezërit e tyre, bashkëmendimtarët e tyre po i bëjnë njëqind të zeza nëpër gjithë botën. Ajo frymë ka depërtuar edhe këtu tek ne. Këtu Serbia po i financon, sepse Serbisë i intereson me e bindë botën që “ja këta janë fundamentalistë, s’ka gjë prej tyre, këta janë njësoj si ata kriminelët, si ata Bin Ladenët” etj. Prandaj, duhet urgjentisht të merren masa dhe t’u pritet mundësia e veprimit të lirë të tyre, Ata po e keqpërdorin demokracinë. Po e keqpërdorin mundësinë që ne e kemi deklaruar me të drejt që feja është e paprekshme. Por, këta janë ata fetarët që po prodhojnë fanatikë. Ne nuk kemi nevojë të krijojmë fanatikë. Ne kemi nevojë për besimtarë që i besojnë Zotit, por që i duan edhe njerëzit e janë në shërbim të njerëzve. Ata po i kërkojnë ata njerëz që janë të gatshëm t’u shërbejnë njerëzve për do pare, për do fjalë, për do fanatizma që i kanë dëgjuar e i dëgjojnë për çdo ditë jo nëpër facebook, jo nëpër xhamia, jo nëpër stacione radiotelevizive etj. Duhet të merren masa, sepse ka njerëz të luhatshëm, të paformuar si duhet që ndikohen shumë lehtë, e bëjnë skandal e pastaj na del puna edhe shqiptarët atje po i ndihmojnë asaj lufte që as nuk po e din kush po lufton kundër kujt, as nuk po e di çfarë po don Bashar Al Asadi as çfarë po donë të tjerët as kurrgjë.
XS
SM
MD
LG