Lidhje

Qasja e EULEX-it në veriun e Kosovës


Përfaqësues politikë serb në veriun e Kosovës pezulluan bashkëpunimin me EULEX-in për shkak të arrestimeve të fundit në zonë.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, tha se çështjet e sigurisë dhe rendit në Kosovë u takojnë zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe askush tjetër nuk mund të pretendojë përzierjen në këto çështje.

Këto komente pasuan qëndrimet e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, për të pezulluar bashkëpunimin me misionin e EULEX-it, në shenjë kundërshtimi të arrestimeve të fundit në atë zonë.

Të martën policia e EULEX-it arrestoi në veri të Mitrovicës një pjesëtar të komunitetit serb nën dyshimet për vrasje dhe tentim vrasjeje në shkurt të vitit 2000 në veri të këtij qyteti.

Kjo bëri që kryetarët e komunave veriore të dalë nga zgjedhjet komunale të vitit të kaluar, shpallën vendimin për të pezulluar bashkëpunimin me EULEX-in duke e akuzuar atë për siç thuhet “rrëmbimin” e pjesëtarëve të komunitetit serb.

Në një reagim të EULEX-it thuhet se “misioni nuk pajtohet me qëndrimin e tyre se arrestimi i një të dyshuari me urdhër të prokurorit është rrëmbim, veçanërisht kur i dyshuari është bashkëpunues asisoj që janë dashur vetëm 3 policë për kryerjen e arrestimit të tij duke mos pasur nevojë që t’ia vendosin prangat fare. Siç e kemi sqaruar më përpara, në fushën e sundimit të ligjit, askush përveç zyrtarëve për zbatim ligji të caktuar ligjërisht, apo prokurorët ose gjykatësit, nuk mund të pretendojë ta ketë të drejtën e autorizimit ose jo të zbatimit të drejtësisë”, thuhet në reagimin e këtij misioni.

Të arrestuarit ju caktua masa e paraburgimit prej një muaji dhe dyshimet në bazë të të cilave është arrestuar ai përfshijnë ngjarjet e muajit shkurt të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës, kur gjatë trazirave të dhunshme qenë vrarë dhjetë shqiptarë.

Nën të njëjtat dyshime, në janar të këtij viti u arrestua edhe politikani lokal serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviç.
XS
SM
MD
LG