Lidhje

Debat mbi sfidat ndaj bashkëjetesës fetare


Debati është pjesë e një konference ndërkombëtare dialogun ndërfetar që po i zhvillon punimet në Prishtinë.

Në Kosovë, përfaqësues institucionesh shtetërore e fetare thanë se toleranca dhe mirëkuptimi duhet të jenë vlera të shoqërisë së saj dhe Kosova nuk duhet të lejojë që ideologjitë e skajshme të rrezikojnë këto vlera. Këto komente u bënë në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Ndërfetare që po i zhvillon punimet në Prishtinë.

Kosovë: Konferenca nderkombëtare për dialogun ndërfetar
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:40 0:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se tradita e bashkëjetesës fetare, e kultivuar përgjatë historisë e përfshirë edhe në Kushtetutë si pjesë e rëndësishme e lirive të njeriut, e bën Kosovën një shtet të respektimit të lloj llojshmërisë dhe ruajtjes së paqes. Megjithëkëtë, në një kohë të sfidave botërore të sigurisë, kur njëkohësisht po sfidohet edhe bashkëjetesa, madje edhe fetare, duhet një përgjigje e përbashkët, gjithëpërfshirëse, për ta ruajtur një vlerë të rëndësishme për njerëzit – mirëkuptimin dhe mirëbesimin ndërmjet tyre, tha ajo.

Kjo sfidë, që nuk ka lënë pa e prekur edhe Kosovën, shndërrohet në një betejë të rëndësishme për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, që të ritheksojnë edhe njëherë vlerën e shtetit të ri të tyre, se e ardhmja bazohet në besimin te shteti i përbashkët, i cili ndërtohet mbi shumëllojshmërinë e kulturave dhe traditën e bashkëjetesës midis tyre. Për të siguruar një gjë të tillë, ne duhet të konfrontohemi me ekstremizmat e çfarëdo lloji dhe me ndikimet që ato mund të kenë mbi të rinjtë tanë. Dhe, prandaj, na duhet angazhim i plotë i yni, i shoqërive tona, në hapjen e perspektivave për të rinjtë tanë, në rritjen e nivelit të arsimimit dhe në kultivimin e kulturës së bashkëjetesës. Dhe religjioni është pikërisht këtu, për ta ndihmuar këtë angazhim për një të ardhme më të mirë për të gjitha vendet tona”, tha presidentja Jahjaga.

Ndërkaq, Ejup Ramadani, nga Bashkësia Islame e Kosovës, tha se Kosova është një vend i vogël e me një të kaluar të hidhur. Por, edhe ajo e kaluar e kujton një vlerë të çmuar e të rrallë, që është harmonia ndërfetare.

Por, sot jemi në rrethana të reja, në sfida të reja, shpesh edhe të padëgjuara më parë. Feja si pjesë e kulturës së shoqërisë ofron përkrahje në përballjen me këto sfida që mund ta rrezikojnë gjithë atë që është arritur deri më sot. Liria e besimit dhe manifestimi i tij janë një vlerë dhe parim global. Arsimimi dhe edukimi nuk kane alternativë, por indoktrinomi duhet të demaskohet dhe mënjanohet pa marrë parasysh se me çfarë petku është veshur ai”, tha zoti Ramadani.

Ndërsa, përfaqësuesi i kishës ortodokse serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq tha se karakteri shumetnik dhe shumfetar i Kosovës është një pasuri e saj dhe jo një pengesë.

Shoqëria, e cila di se si t'i respektojë dallimet dhe, në të njëjtën kohë di të jetë gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e saj, dëshmon pjekurinë e saj politike. Pa një qëndrim të tillë është gjithmonë të mbetet peng i miteve politike e nacionaliste që mund të mbajnë tërë Ballkanin Perëndimor të izoluar dhe në konflikte”, tha ai.

Famullitari i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, Dom Lush Gjergji, tërhoqi vëmendjen në rreziqet që paraqet mosgatishmëria për të pranuar tjetrin që është ndryshe.

Papa i madh e i pavdekshëm, miku i mbarë botës, ne veçanti i botës shqiptare dhe i Kosovës, Shën Gjon Pali i dytë, ë një rast pat thënë: urrejtja dhe vrasja e njeriut është krim. E krimi i krimeve është kur ajo bëhet në emër të Zotit”, tha Dom Lush Gjergji, i cili tha se Kosova qëndron shumë mirë në marrëdhëniet ndërfetare, meqë siç tha ai, “vëllazëria gjithëshqiptare është mbi ndasitë fetare”, tha ai.

Në konferencën që po vazhdon punimet me dyer të mbyllura është vënë theksi tek dialogu ndërfetar në kohën e mediave sociale: Jetësimi i agjentëve të ndryshimit, kundërvënia ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes, që synon këmbimin e përvojave për sfidimin e radikalizimit në internet.

Kosova është përballur me sfidën e pengimit të përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Sipas një studimi të qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, i publikuar ditë më parë, deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar, që përbën një numër të madh në krahasim me popullatën e saj të përgjithshme. Deri tash rreth 30 veta kanë humbur jetën në ato luftëra. Të martën, ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se aktualisht atje mund të jenë rreth 50 shtetas të Kosovës.

Në muajin mars, Parlamenti i Kosovës me 60 vota për dhe 17 kundër miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG