Lidhje

Kurti: Nuk shoh jetë të gjatë të kësaj qeverie


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, krijimi i qeverisë së koalicionit PDK-LDK humbi shpresën për ndryshime

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i tha Zërit të Amerikës se qeveria aktuale nuk pritet te ketë jetë të gjatë dhe se kjo është mirë për qytetarët e Republikës. Ai tha se gjatë krizës institucionale në Kosovë kishte shpresë, e cila iku bashkë me koalicionin ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zotit Kurti tha se luftërat në Lindjen e Mesme nuk kanë të bëjnë me shqiptarët dhe pjesëmarrja atje është e padrejtë dhe shumë e dëmshme.

Interviste me Albin Kurtin
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:44 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Kosova po mbyllë një vit të përshkuar me bllokadë të gjatë politike së cilës ju dha fund ndryshe nga ajo që kishit paramenduar ju. Si prisni të funksionojë qeveria e re dhe si do të funksiononi ju me të?

Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë opozita e vetme, tash është opozita kryesore, opozita prijëse. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes është grupi i deputetëve më të përgatitur në Kuvendin e Republikës së Kosovës në këtë legjislaturë të pestë që prej çlirimit e këndej. Dhe kjo tashmë është parë që në seancat e para, e posaçërisht në atë për çështjen e projektligjit për buxhetin. PDK-ja dhe LDK-ja që janë në rënie e sipër u bënë bashkë në mënyrë që të ngadalësojnë rënien e tyre, mirëpo do të korrin efekte kundërproduktive. Unë nuk shoh jetë të gjatë të kësaj qeverie dhe besoj që kjo është mirë për qytetarët e Republikës. Përderisa kishim krizë institucionale, kishte shpresë. Kur u zgjodh kriza institucionale, u përshpejtua emigrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës për në Serbi, përtej lumit Tisa e në Hungari, ku po përfundojnë nëpër kampe refugjatësh, apo nëpër tenda si qytetarë që nuk janë as të dorës së dytë.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kurti, shpresa që ju thoni se është humbur, dikur ishte mbështetur edhe nga ana juaj tek njëri prej pjesëtarëve të koalicionit qeverisës. Pse humbi shpresa kur pjesë e saj ishte ajo që tashmë drejton qeverinë e Kosovës?

Albin Kurti: Pati një devijim radikal të LDK-së dhe kreut të saj (Isa) Mustafa, tek i cili u kombinuan lakmia e papërmbajtur për pushtet, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, frika e jashtëzakonshme nga burgu. Pra, nuk mund të shpjegohet vetëm me njërin prej këtyre faktorëve, por u kombinuan këta dy faktorë dhe e kemi Mustafën në qeveri të regjimit të vjetër, për mision të vjetër, e që do të thotë edhe më shumë koncesione ndaj Serbisë, në njërën anë, edhe më shumë privatizime brenda vendit, në anën tjetër. Bëhet fjalë për një qeveri e cila është edhe kompradore në kuptimin e zhvillimit të ekonomisë, me deficit të jashtëzakonshëm tregtar, edhe koncesioniste në rrafshin politik, për shkak se bëhet fjalë për qeveritarë të cilët në përgjithësi mbeten larg burgut, duke i mundësuar Serbisë që të jetë më afër BE-së.

Zëri i Amerikës: Por, a kishte zgjidhje tjetër për shkak të rrethanave në vend, për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Të paktën kështu ishte edhe shpjegimi i zotit Mustafa që ishte dikur partneri juaj, që nuk kishte asnjë rrugë tjetër. Si do të mund të sendërtohej një qeveri e bllokut me situatën që ishte krijuar?

Albin Kurti: Kur kemi thënë që shteti i Kosovës është shtet i dobët sepse është shtet i kapur, në nuk kemi pasur iluzione se ai vetvetiu do të bëhet shtet i suksesshëm dhe demokratik. Pra ne vepronim në rrethana të një shteti të kapur në të cilin presidentja (Atifete) Jahjaga, super gjykatësi (Enver) Hasani dhe kryesuesja (Flora) Brovina, u bënë super militantë të PDK-së. Madje, Jahjaga dhe Hasani edhe pa i pasur librezat (e partisë) fare. Kështu që, bindja ime është se ne e kemi ditur në çfarë konteksti politik po veprojmë, andaj edhe me datën 9 tetor pata thënë në Kuvend të Republikës që: “Nëse qëndrojmë, fitojmë!”. Dhe, ata që nuk qëndruan, pikë së pari zoti Mustafa, ata na e pamundësuan fitoren neve si shumicë parlamentare.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti ju keni kundërshtuar deri tash bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çfarë do të jetë qëndrimi juaj kundrejt këtij procesi tash e tutje?

Albin Kurti: Siç e kemi shkruar qartë në marrëveshjen e 10 shtatorit me koalicion LAN asokohe, ne kemi nevojë për një kurs të ri të shtetit, në të cilin fillojmë së pari me një dialog të ri me BE-në, për marrëdhënie kontraktuale e partneriteti, me ç’rast premtimet e rrejshme i zëvendësojmë me një vizion të qëndrueshëm edhe pse të dhimbshëm, duke e ditur se Kosova nuk do të anëtarësohet së shpejti në BE dhe se na duhen shumë punë për një gjë të tillë. Mandej, një dialog i ri me serbët e Kosovës, jo i mbyllur diplomatik, por i hapur e demokratik dhe jo për pajtim por për zhvillim. Dhe, në fund, edhe një dialog me të gjithë fqinjët, përfshirë këtu edhe Serbinë, por mbi baza të reciprocitetit, me parime, duke nënkuptuar që Serbia i ka borxh Kosovës, Serbia që kreu gjenocid dhe vazhdon të sillet si armike e Kosovës. Në çfarëdo marrëdhëniesh të mira fqinjësore me Serbinë, nuk është Kosova ajo që duhet të ndryshojë, por Serbia ajo që duhet të transformohet rrënjësisht. Por, dialogu çfarë e ka zhvilluar (Hashim) Thaçi dhe i cili do të vazhdojë tash edhe me qeverinë Mustafa, nuk na e mundëson një gjë të tillë, nuk na e mundëson një përfaqësim të dinjitetshëm të Kosovës dhe as realizim të interesave tona, meqenëse ai bëhet thua se Kosova i ka borxh Serbisë, gjë që është më të vërtetë jo vetëm e padrejtë, por edhe ofenduese.

Zëri i Amerikës: Disa nga sfidat që e presin Kosovën kërkojnë një shkallë konsensusi të gjerë, si ta zëmë themelimi i Gjykatës së posaçme. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj çështjeje, e kam fjalën për votën tuaj në parlament?

Albin Kurti: Nisma për gjykatën speciale të Kosovës u lansua në kohën kur EULEX-i do të duhej të jepte llogari për 6 vjet veprimi, apo më mirë të them, mosveprimi në luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë. Atëherë kur EULEX-i është dashur të japë llogari për 1.5 miliardë euro të taksapaguesve evropian, që i shpenzuan në Kosovë për punët që nuk i bënë, atëherë e hodhën këtë idenë e gjykatës speciale. Ne kemi nevojë për drejtësi universale, jo për gjykatë speciale. Ajo që ka nevojë vazhdimisht për gjykata speciale është Serbia e cila asnjëherë nuk po ballafaqohet siç duhet me të kaluarën dhe ku janë me dhjetëra mijëra kriminelë të luftërave në ish Jugosllavi, që vazhdojnë të qarkullojnë të lirë, madje e kanë edhe liberalizimin e vizave, duke mbetur jashtë grilave të burgut. Pra, nuk mund të bëhet ndërrimi apo rokada e viktimës me agresorin. Ka pasur krime edhe në Kosovë. Ato kanë qenë individuale dhe për ato krime individuale, natyrisht që gjykatat dhe prokuroritë tona duhet ta thonë fjalën e tyre. Është e dëmshme që nuk po bëhet një gjë e tillë. Por, me këtë rast, më duhet të them se kësaj gjykatë speciale, rrugën ia asfaltoi deklarata e ish kryeministrit Thaçi, i cili në Euroneës, tha se ka qenë larg vijave të frontit. Pra, në njëfarë mënyre, kur njerëzit që kanë qenë në krye të luftës distancohen nga lufta çlirimtare, ata kolektivisht UÇK-në, që është shprehja sublime e kryengritjes, rezistencës dhe sakrificës sonë, ja ekspozuan shpifjeve të ndryshme ndërkombëtare. Ne e dimë që të gjithë ndërkombëtarët e dinë se në Kosovë ka pasur shumë krime të paqes. Dhe, është e padrejtë tash që në vend që të merremi me krimet e paqes e korrupsionin enorm të kësaj konjukture që u pasurua tej mase, të bëhet një zëvendësim që të merremi me krimet e luftës së shqiptarëve sipas shpifjeve të ndonjë ndërkombëtari. Unë nuk besoj që shqiptarët e UÇK-së kanë bërë krime të tilla për çfarë flitet dhe tashmë kjo është demantuar edhe prej Tribunalit të Hagës edhe prej UNMIK-ut edhe prej EULEX-it, që realisht nuk kanë gjetur kurrfarë faktesh për insinuata të tilla.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, një prej shqetësimeve që ngrihen shumë në Kosovë është ajo e veprimit të elementeve më radikale fetare dhe për këtë arsye, për të penguar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës është hartuar edhe projektligji për ndalimin e përfshirjes së shqiptarëve në luftëra të huaja që pritet të vihet në parlament menjëherë në fillim të vitit. Çfarë është qëndrimi juaj kundrejt tij?

Albin Kurti: Në do të shohim se çfarë amandamentimesh janë bërë deri tash. Qëndrimi jonë ka qenë i qartë. Ne mendojmë që Qeveria e Kosovës pjesëmarrjen, anëtarësimin në organizata të ndryshme terroriste e ekstremiste islamike apo të tjera, ta shpallë vepër të dënueshme e të ndëshkueshme. Shumë më mirë dhe më drejtë sesa kjo të bëhet me një ligj. Nëse ligji do të ishte specifikisht për pjesëmarrje në lufta në të ardhmen, apo aktualisht në Siri apo në vendet rrotull atje në Lindjen e Mesme, jemi dakord. Mirëpo, në një ligj në të cilin askund nuk përmendet Siria dhe i cili do të mund të aplikohej edhe, nëse ta zëmë, hipotetikisht, Shqipëria ndodhet në një agresion, ose shqiptarët në Luginë të Preshevës, ose shqiptarët në Maqedoni dhe mandej, paradoksalisht, serbi i Kosovës me një pasaportë të Serbisë mund të shkojë në luftë në Luginë të Preshevës kundër shqiptarëve, ndërkaq, shqiptari i Kosovës nuk mund të shkojë në Luginë të Preshevës, kjo është e padrejtë dhe ne këtë duhet ta themi. Pra, e kam përshtypjen se ky ligj do të keqpërdoret që të bëhet më operacional, ajo që quhet “shtet policor”. E kemi parë qysh në Kosovë politika policore po e bënë edhe policinë politike dhe kjo duhet të marrë fund. Qoftë kur paralajmërohen dënime për emigrantët tanë nga 7 mijë e 500 euro nëse ikin jashtë vendit ilegalisht, qoftë atëherë kur provohet që të ndrydhet edhe më shumë qytetari i Kosovës. Pra, unë mendoj që këtu ka probleme të mëdha socio-ekonomike që duhet të adresohen me modele zhvillimore, ndërkaq ligjet duhet të jenë të qarta dhe të sakta, për shkak se në kushtet e një shteti të kapur çfarëdo paqartësie dhe pasaktësie, do të keqpërdoret. Vetëvendosje është kundër shkuarjes së shqiptarëve në Siri. Ne jemi kundër luftërave të tilla. Mendojmë që ato luftëra nuk kanë të bëjnë me shqiptarët, nuk janë luftëra tonat dhe pjesëmarrja atje është e padrejtë dhe është shumë e dëmshme.

Zëri i Amerikës: E përmendët disa herë çështjen e korrupsionit dhe Kosova është radhitur në mesin e vendeve me të korruptuara në rajon. Ku qëndrojnë problemet që ajo nuk po përballet dot me luftën kundër kësaj dukurie?

Albin Kurti: Besoj që kjo nuk ka të bëjë më shoqërinë tonë në kuptimin e kulturës apo historisë. Ka të bëjë me modelin e gabuar të institucioneve që janë të themeluara dhe operojnë mbi bazën e paradigmës së stabilitetit. Pra, ligji në Kosovë, nuk është ligj për drejtësi, nuk është ligj për të drejtat, por është ligj për stabilitet. Të gjithë ata të cilët e kërkojnë dhe e duan stabilitetin, le t’ua thonë këtë të varfërve. Veçse dihet që të varfërit për stabilitet gjithmonë i ka bindur policia. Ne nuk kemi nevojë për stabilitet. Ne kemi nevojë për zhvillim, për demokratizim, për drejtësi. Ne kemi nevojë për Republikë. Ne kemi nevojë për sovranitet e integritet territorial. Ne kemi nevojë për mirëqenie e progres. Dhe duhet të dalim prej këtij modeli të gabuar në të cilin në emër të stabilitetit, peshkaqenët e korruptuar thonë se do ta luftojnë korrupsionin e peshqve të vegjël. Kjo nuk është mënyrë se si mund të ecim përpara. Duhet ta themelojmë shtetin e së drejtës dhe këtë ta lidhim me qytetarin e Republikës i cili duhet t’i bindet ligjit për shkak se beson në të e jo për shkak se e konsideron veten të dobët kundrejt tij.

Zëri i Amerikës: Edhe gjatë kësaj interviste ju vazhdoni të kundërshtoni ato që quhen sfida para Kosovës. A është ky kundërshtim vetëm për shkak të të bërit opozitë?

Albin Kurti: Të gjitha kundërshtimet tona burojnë nga alternativa jonë qeverisëse dhe programi politik. Nuk ka asnjë kundërshtim yni që është për hir të të qenit kundërshtar i një qëndrimi, apo vendimi apo veprimi të qeverisë. Ka pasur edhe projektligje të ndryshme që kanë ardhur nga qeveria të cilat i kemi votuar për, sepse kemi konsideruar se janë në përputhje me alternativën tonë qeverisëse. Pra, kritika jonë nuk rri në ajër. Ajo buron nga bindjet dhe besimet tona se si mund të zhvillohet Kosova dhe mund të dalë nga kriza. Nuk është e lehtë, meqenëse për shumë gjëra po mbesim të vetmuar, mirëpo po mbesim të vetmuar në kuadër të skenës politike në institucione, ama sa i përket qytetarëve të Republikës Lëvizja Vetëvendosje me pushtetin në Prishtinë, me grupin e saj parlamentar, me organizatën e saj politike kurrë nuk ka qenë më e fuqishme në historinë e saj, tashmë gati dhjetëvjeçare.

Zëri i Amerikës: Viti 2014 nuk ishte vit i lehtë për Kosovën. Po nga viti 2015 çfarë prisni zoti Kurti?

Albin Kurti: Do të jetë vit i rëndë. Do të jetë vit i vështirë, në të cilin unë jam optimist që do të krijohen kushtet për një betejë të vërtetë parlamentare, në të cilën nuk do ta kemi më paravan opozitën e rrejshme, LDK-në. Dhe, në anën tjetër, do të ndodhë, nga zori, një vetëdijësim se më mirë është të jemi në tenda në sheshet në qyteteve të Republikës e sidomos në kryeqytet për të rrëzuar këtë regjim, sesa të përfundojmë në tendat e vendeve të BE-së, ku po forcohet ksenofobia dhe fashizmi me parti ekstreme të djathta. Dhe, unë jam optimist se nga ky qartësim i skenës politike kosovare, nuk do të mund të ketë më njerëz të mashtruar e madje as të vetëmashtruar.

Zëri i Amerikës: Po paralajmëroni kësisoj veprime edhe jashtëparlamentare në rrugë?

Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk i ka braktisur metodat e veprimit jashtëparlamentar e paqësor. Aktivitetet si aksionet e tubimet, si protestat e demonstratat, janë pjesë e asaj që në besojmë se duhet të jenë mënyra të qytetarit të Republikës. Në një vend me mjerim socio-ekonomik, me degradim politik e institucional si puna e Kosovës, duhet të brengosemi atëherë kur nuk ka protesta e jo atëherë kur ka protesta.

XS
SM
MD
LG