Lidhje

Jahjaga: Jemi vonuar – duhet të shpejtojmë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se institucionet duhet të punojnë shumë për të kompensuar kohën e humbur me bllokadën politike.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i tha Zëri të Amerikës se bllokada e gjatë politike ka lënë pasoja dhe institucioneve u duhet shumë punë për kompensimin e kohës së humbur. Ajo tha se gjatë vitit 2015 duhet më shumë për përmbylljen e reformave që do të çonin në rritje e mirëqenies së qytetarëve dhe përmbushjen e detyrimeve edhe ndërkombëtare. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ajo tha se bisedimet me Serbinë, duhet të vazhdojnë, por duhet të jenë të kufizuara në kohë.

Intervistë me Presidenten Atifete Jahjaga
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:05 0:00

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, po e hapim këtë intervistë fundviti me situatën e sigurisë në vend, debatet për brishtësinë së cilës ditëve të fundit u rihapën pas arrestimit të një shtetasi serb me një sasi të madhe mjetesh shpërthyese. Nga pikëpamja juaj, çfarë është situata e sigurisë në vend?

Atifete Jahjaga: Po, është e vërtetë që në prag të festave të këtij fundvit patëm një kërcënim të sigurisë kombëtare. Megjithatë unë i kam i kam përgëzuar policinë e Kosovës dhe të gjithë mekanizmat e sigurisë të cilat e kanë trajtuar menjëherë, me urgjencë dhe në mënyrë profesionale këtë rast. Konsideroj se në zbardhjen e këtij kërcënimi është i rëndësishëm një bashkëpunim i mirëfilltë më të gjithë mekanizmat e sigurisë, me policinë e Kosovës, me Agjencinë e Sigurisë por edhe me vendet e rajonit sepse këto raste shkojnë jashtë kufijve të Kosovës dhe është i domosdoshëm një bashkëpunim i mirëfilltë. Por, unë konsideroj se kemi një gjendje stabile të sigurisë së Kosovës dhe po ashtu të sigurisë kombëtare dhe të gjithë mekanizmat e sigurisë janë të përgatitur profesionalisht por edhe në aspektin teknik që t’i detektojnë me kohë këto raste dhe të ofrojnë ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra, unë thjeshtë them se nuk ka vend për panik. Duhet t’i lëmë mekanizmat e sigurisë dhe mekanizmat profesional që të kryejnë punën e tyre ne mënyrë profesionale, duke ju ofruar një përkrahje të fuqishme në të gjitha fushat e nevojshme.

Zëri i Amerikës: Cilat janë kërcënimet më të mëdha sipas jush ndaj sigurisë së Kosovës?

Atifete Jahjaga: Në një periudhë kur siguria globale po kërcënohet, as Kosova nuk mund të mbetet imune ndaj gjithë këtyre zhvillimeve në botë. Ne jemi një shtet i ri që po ndërtohet me të gjitha mekanizmat e saj shtetëror, që po profesionalizohen. Deri tani kemi treguar se jemi një faktor i paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon. Kërcënimet mund të jenë të llojeve të ndryshme, por ne kemi dëshmuar se jemi pjesë e botës demokratike që përpiqet të garantojë sigurinë e përgjithshme. Ajo që është me rëndësi është se Kosova nuk mund të jetë e shkëputur nga mekanizmat e sigurisë qoftë në rajon ose në rrafshin ndërkombëtar. Kosova duhet të jetë pjesë e rëndësishme e të gjithë mekanizmave edhe EUROPOL-it edhe INTERPOL-it, me qëllim që të jap kontributin e saj në fushën e sigurisë duke luftuar me sukses të gjitha kërcënimet.

Zëri i Amerikës: Një çështje e hapur që lidhet me sigurinë është ajo e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, komandante e lartë e të cilave duhet të jeni ju. Sa mund ta pengojnë themelimin e tyre proceset politike që lidhen me integrimin e pakicës serbe në Kosovë?

Atifete Jahjaga: Ju po i ndërlidhni dy çështjet ndërmjet vete. Forcat e Sigurisë së Kosovës, janë një institucion gjithëpërfshirës, i përbërë nga të gjitha komunitetet dhe ato përkujdesen për të gjithë qytetarët e vendit. Në një proces të rivlerësimit të sektorit të sigurisë, që natyrisht ka pasuar periudhën e përmbushjes së të gjitha kapaciteteve operacionale, që janë deklaruar nga NATO, kemi ardhur në përfundim që FSK duhet të shndërrohet në Forcën e Armatosur të Kosovës. Kosova duhet ta ketë forcën e saj të armatosur, dhe kjo do ta ndihmojë atë edhe në rrugën e anëtarësimit në NATO. Rruga e transformimit të FSK-së ka qenë rrugë e përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare. Në anën tjetër të drejtat dhe liritë e njeriut, e në këtë rast të komunitetit serb janë të përcaktuara me Kushtetutën e vendit. Dhe ky komunitet, ashtu si edhe komunitetet e tjera i kanë të garantuara këto të drejta dhe liri. Unë besoj në integrimin e komunitetit serb, po aq sa besoj edhe në ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve. Integrimi i tyre në jetën shoqërore dhe institucionale të Kosovës nënkupton përshpejtim të proceseve edhe brenda vendit edhe në proceset e integrimeve euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Ju keni tërhequr vërejtjen disa herë për rrezikun nga elementet e skajshme fetare që lidhen edhe me luftërat e huaja. Parlamenti pritet që në fillim të vitit të miratojë një ligj që parandalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në ato luftëra. Por, sa mund të bëjë punë një ligj nëse ai nuk përcillet me masa tjera që luftojnë shkaqet e një përfshirjeje të tillë.

Atifete Jahjaga: Shoqëria jonë është përballur me një rrezik të caktuar dhe unë e thash më herët se ne nuk kemi mbetur imun ndaj zhvillimeve të këtilla në botë. Përballja jonë me këtë rrezik e ka bërë Kosovën pjesë të lëvizjeve globale për luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit. Mekanizmat tanë të sigurisë kanë treguar efikasitet dhe përkushtim në garantimin e sigurisë kombëtare. Këtu është një zinxhir i veprimeve që duhet të kryhen. Së pari duhet të lidhemi me vlerat e popullit tonë dhe si shtet që i kemi trashëguar me gjenerata të tëra dhe ajo që po ndodhë me nje përqindje të të rinjve, nuk u përket vlerave tona, të gjeneratave tona, vlerave dhe orientimit tonë pro evropian që nuk ka alternativë tjetër. Masa tjetër është ajo nga vet qytetarët e Kosovës, sepse këtu kemi të bëjmë me një grup të vogël të individëve, grupe margjinale. Pra nuk kemi të bëjmë me një përqindje të madhe të popullatës. Dhe përqindja më e madhe e popullatës, sidomos të rinjve duhet t’i dënojnë rastet e tilla dhe këto veprime individuale, të cilat janë veprime individuale. E treta, ju e përmendët ligjin që është miratuar në qeverinë e Kosovës dhe shpresoj që sa më parë që është e mundur të miratohet në Kuvendin e Kosovës, sepse kjo është po ashtu një masë parandaluese. Pastaj, janë të nevojshme reformat e mirëfillta në shoqëri për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë, që është e domosdoshme për gjenerimin e vendeve të reja të punës, pastaj reformat në arsim dhe edukim që janë të domosdoshme dhe që reflektojnë në parandalimin e këtyre veprimeve. Dhe gjithsesi është nevoja e përkrahjes së fuqishme e bashkësive fetare në Kosovë, veçanërisht të Bashkësisë Islame të Kosovës në përçimin e mesazheve që do të parandalonin qytetarët tanë që të shkojnë në lufta të tilla, apo t’u bashkëngjiten aktiviteteve të tilla, sepse ne s’kemi më shumë se 15 vite më parë që kemi dalë nga një luftë që ka lënë pasoja të mëdha. Ende për neve këto pasoja e këto plagë janë të pambyllura dhe nuk besoj që ne duhet të përfshihemi në diçka që nuk po ja dimë fundin se ku është.

Zëri i Amerikës: Treguesit ndërkombëtarë vazhdojnë ta radhisin Kosovën në mesin e vendeve me shkallë të lartë korrupsioni. Ju drejtoni këshillin kombëtar kundër kësaj dukurie. Si shpjegohet ngecja e vendit në këtë luftë?

Atifete Jahjaga: Ju po flisni për tregues të perceptimeve dhe unë pajtohem me ju se Kosova nuk mund të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyrë më. Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit është më shumë një forum ta quaj, ku bëhet bashkërendimi i veprimeve ndërmjet institucioneve të mandatuara për luftimin e korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit është luftë e përbashkët e të gjithë neve, edhe e institucioneve edhe e shoqërisë në tërësi. Kemi ngecje sepse realisht na duhet më shumë vullnet dhe punë e përbashkët e të gjithë mekanizmave, e të gjitha institucioneve dhe e të gjitha shtresave të shoqërisë për ta luftuar me sukses këtë dukuri. Ky vit duhet të dëshmojë se jemi të gatshëm që ta zbatojmë ligjin në tërësi. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe prandaj askush nuk mund të amnistohet për çfarëdo vepre korruptive.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente, një nga sfidat e radhës përballë institucioneve vendëse është themelimi i Gjykatës së Posaçme. Si mendoni se do të përballet Kosovë me këtë sfidë?

Atifete Jahjaga: Duam që ta mbyllim njëherë e përgjithmonë një kapitull të akuzave për krime, që dyshohet të kenë kryer individët gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Krijimi i Gjykatës Speciale pasqyron angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t’u marrë me këto akuza në mënyrë të besueshme. Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe pavarësi.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, në fillim të muajit shkurt pritet një raund i ri bisedimesh me Serbinë. Gjykuar nga zhvillimet e deritashme sa i përgjigjet Kosovës një format i tillë i bisedimeve?

Atifete Jahjaga: Dialogu duhet të vazhdojë në mes të dyja shtetev tona me ndërmjetësimin e BE-së në formatin e njëjtë por me kohë të kufizuar, sepse kemi goxha punë për të bërë në proceset e mëtutjeshme. Është obligim i të dyja shteteve që të përmbushin të gjitha detyrat dhe obligimet që i kanë marrë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të arritura deri tash. Duhet të jemi të hapur sepse jo edhe aq shumë progres është arritur në implementimin e një numri të konsiderueshëm të marrëveshjeve deri tash, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me tërheqjen e përkrahjes dhe financimit të strukturave ilegale në veri të territorit të Republikës së Kosovës, që është obligim i shtetit fqinjë të Serbisë. Duhet të shohim rezultate konkrete në terren për implementimin e këtyre marrëveshjeve. Është e qartë se si Kosova, si Serbia, ashtu si edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit të Ballkanit perëndimorë kanë të ardhme evropiane dhe në këtë rrugë nuk mund të ecim tutje pa i zgjidhur të gjitha cështjet e pazgjidhura dhe pa i ndërtuar marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, Kosova po lë prapa një vit jo të lehtë që është përshkuar me një bllokadë të gjatë e të mundimshme politike. Por, çfarë prisni nga viti që po vjen?

Atifete Jahjaga: Presim rezultatet konkrete dhe të prekshme për të gjitha ato që i përmendëm deri tash. Ne duhet t’i përmbushim të gjitha ato premtime që u kemi dhënë qytetarëve tanë, ato obligime që i kemi marrë nga qytetarët tanë dhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Do të na duhet shumë më shumë punë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë, për gjenerimin e vendeve të reja të punës, në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve tanë në në institucionet tona dhe ta mirëmbajmë këtë besueshmëri të qytetarëve tanë në institucionet e tyre. Neve na duhet shumë më shumë punë në reformat e brendshme, duke filluar nga ati të arsimit, të shëndetësisë, të mirëqenies që thashë me herët. Në procesin e integrimeve euro-atlantike, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave, në procesin e integrimeve, veçanërisht të Forcave të Sigurisë, apo Forcave të Armatosura të Kosovës në procesin e integrimit drejt NATO_s dhe në procesin e marrëveshjes së stabilizim asociimit. Unë them se e kemi një momentum tani që ne duhet ta shfrytëzojmë për ndryshimin e jetës së qytetarëve tanë dhe në procesin e integrimit të shtetit tonë. Prandaj duhet ta trasojmë të ardhmen tonë dhe viti 2015 them se duhet të jetë vit i veprimeve.

Zëri i Amerikës: A e ka dëmtuar këtë momentum, bllokada e gjatë e vitit 2014?

Atifete Jahjaga: Gjithsesi që e ka dëmtuar. Pasojat janë shumë të mëdha sepse nuk kanë qenë në pyetje ditët apo javët, por kanë qenë plot gjashtë muaj. Është gjysmë viti që e kemi humbur edhe si institucione, por edhe si qytetarë në një periudhë që ka qenë e domosdoshme krijimi i institucioneve të vendit, në mënyrë që ne t’i çojmë proceset më tutje. Pra kemi goxha punë për të bërë që të kompensojmë këtë gjashtëmuajsh, por mos ta humbim hapin edhe për vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG