Lidhje

Jacobson: Koalicionin qeverisës në Kosovë nuk e sollëm ne


Ambasadorja amerikane në Prishtinë shpreson që java e ardhshme ta gjejë Kosovën me institucione të reja

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, është punë e politikanëve të Kosovës dhe jo e ambasadës amerikane apo e bashkësisë ndërkombëtare. Në intervistën me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ajo tha se qeveria e re, cilado që të jetë përbërja e saj, duhet të punojë shpejt dhe me përkushtim për përmbushjen e përparësive strategjike të Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën se java e ardhshme mund të gjejë vendin me institucione të reja.

Jacobson: Koalicionin qeverisës në Kosovë nuk e sollëm ne
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:11 0:00

Zëri i Amerikës: Zonja Ambasadore, si e vlerësoni marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për themelimin e koalicionit të ri qeverisës?

Tracey Jacobson: Më lejoni të them se qëndrimi ynë gjatë tërë kohës ishte se jemi të gatshëm të punojmë me cilëndo kryesi të parlamentit dhe çdo qeveri që del nga një proces ligjor. Tash duket se ky proces po ecën përpara dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Dua të them se jam e kënaqur që palët e përfshira në negociatat aktuale janë të përkushtuara për përparësitë strategjike të cilat i ndajmë edhe ne, siç janë: themelimi i gjykatës së posaçme, vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit përfshirë luftën kundër korrupsionit, miratimin e ligjit për luftëtarët e përfshirë në luftërat e huaja. Të gjithë këto janë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për të cilat udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së pajtohen. Por, dua të jem e qartë se ky koalicion që po ndërtohet tani është koalicioni i tyre, është punë e politikanëve të Kosovës, jo punë e ambasadës apo e bashkësisë ndërkombëtare. Jam mirënjohëse dhe e impresionuar me rolin që ka luajtur presidentja në lehtësimin e dialogut dhe me ftesën e saj jam e gatshme që të jem vëzhguese në çdo kohë, por ky vërtetë është proces politik i Kosovës. Lajmi i mirë është që Kosova pati zgjedhje të mira, që politikanët e Kosovës po flasin me njëri-tjetrin rreth tryezës së presidentes së Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme dhe tash duhet të shohim se cilët do të jenë hapat e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Po në fakt cili ishte roli juaj? A nuk ishin mesazhet tuaja ato që çuan drejt një marrëveshjeje?

Tracey Jacobson: Roli ynë ishte që të nxisim një proces që do të zhvillohej në pajtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, që do të ishte në pajtim të plotë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese që u sollën gjatë verës dhe të ecet drejt formimit të qeverisë që përfshinë pakicat dhe që punon në të gjitha këto çështje të rëndësishme. Ne ishim të përqendruar në proces dhe në parime, por jo në parti apo në ndonjë individ të veçantë apo udhëheqës politik.

Zëri i Amerikës: Por, një javë më parë ju ishit goxha e ashpër në porositë që u dërguat udhëheqësve politikë të Kosovës. Për shumë kë kjo ishte kthesa që ndodhi në politikë.

Tracey Jacobson: Nuk dua t’i jap shumë hapësirë asaj paraqitjeje. Por, dua të them se qytetarët e Kosovës që i zgjodhën këta zyrtarë në qershor, nuk do të ishte dashur të prisnin më shumë se pesë muaj për formimin e qeverisë dhe parlamentit. Kemi sfida shume serioze buxhetore, kemi një kohë shumë të shkurtër. Prandaj mesazhi im tek udhëheqësit politikë ishte që t’i përvisheshin punës dhe të gjenin zgjidhje. Dhe kjo është ajo që kryeministri Thaçi dhe udhëheqësi i LDK-së, Isa Mustafa po bisedojnë sot. Nuk e dimë se kush do të jetë ta zëmë kandidati për kryeministër apo për kryetar të parlamentit. Kjo nuk na takon, nuk është interesi ynë. Interesi ynë është që procesi të shkojë përpara, që do të çojë - javën e ardhshme shpresoj - në një parlament dhe qeveri funksionale.

Zëri i Amerikës: Por këta muaj që kanë kaluar a nuk e kanë dëmtuar procesin politik në Kosovë dhe proceset që janë përballë saj?

Tracey Jacobson: Mendoj se çdo vonesë është e dëmshme për Kosovën. Është e dëmshme për shkak të mundësisë së humbur për përparim në çështjet që janë të rëndësishme për Kosovën. Është e dëmshme për imazhin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtarë dhe është dyfish e rëndësishme tash pas kësaj vonese të gjatë që kushdo që e formon qeverinë, apo drejton parlamentin, të jetë i gatshëm të punojë shpejt, vendosmërisht dhe në mënyrë bashkëpunuese për të çuar vendin përpara, për të lënë këtë periudhë vonese prapa dhe që të shohim përparim të vërtetë në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Fakti që qeveria e re do të jetë e përbërë nga dy partitë më të mëdha, a nuk e dëmton kjo opozitën në Kosovë që është shumë e rëndësishme për proceset?

Tracey Jacobson: Besoj se forma dhe dukja e qeverisë së re nuk është përcaktuar ende 100 për qind dhe duhet të presim të shohim se si do të zhvillohen gjërat gjatë ditëve të ardhshme. Natyrisht, ka shumë elemente që përbëjnë një demokraci të suksesshme. Koalicioni i gjerë siç është duke u diskutuar tani, mund të ketë përparësi për shkak se do jetë në gjendje të miratojë ligje që kërkojnë dy të tretat e votave në parlament, siç janë ta zëmë, gjykata e posaçme, apo formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Në të njëjtën kohë, roli i opozitës është shumë i rëndësishëm. Ata duhet ta mbikëqyrin qeverinë, t’ua bëjnë të ditur kur gabojnë, duhet të luajnë një rol konstruktiv në zhvillimin demokratik të Kosovës, sikurse edhe shoqëria civile, media dhe madje edhe individët. Ne presim të punojmë në të ardhmen me qeverinë, por po ashtu të punojmë me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në parlament në mbështetje të një të ardhmeje më të mirë për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre muajve kishim një marrëveshje politike që u prish dhe tash kemi një marrëveshje tjetër që do të çojë në ndërtimin e institucioneve. Ka njerëz që thonë se kjo po krijon një traditë të mosmbajtjes së fjalës në politikë në Kosovë. Si i shihni ju këto debate?

Tracey Jacobson: Njerëzit kanë mendime për politikanët që nuk janë të veçanta vetëm për Kosovën, por në gjithë botën. Është e vërtetë në këtë situatë se meqë nuk kemi një parti që ka shumicën absolute, duhet të krijohen koalicione. Ky është një proces, që siç e kemi parë këtu, është i ngatërruar e i ndërlikuar. Kështu është edhe në vende tjera të Evropës. Çelësi është tek gjetja e zgjidhjes së shpejtë për të ecur përpara me punën e rëndësishme që mbetet për t’u bërë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët më herët sfidat që ndodhen përpara kësaj qeverie, përfshirë miratimin e funksionimit të gjykatës së posaçme, të ligjit për luftëtarët e huaj, të forcave të armatosura. A është i përgatitur ky koalicion që t’i çojë përpara këto procese?

Tracey Jacobson: Ata të dy, Hashim Thaçi e Isa Mustafa më kanë thënë se janë të gatshëm dhe të përkushtuar për këtë, që e dinë çfarë duhet të bëjnë në këto çështje të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Nëse e formojnë qeverinë, natyrisht ne do t’i mbështesim në të gjitha këto çështje sikundër që kemi bërë në të kaluarën. Shpresojmë të mbajmë kontakte të mira me të gjitha forcat politike në Kosovë, sepse për disa nga këto çështje të mëdha dhe të diskutueshme duhet të gjejmë unitet dhe mënyrën që çon përpara agjendën e vendit.

Zëri i Amerikës: Në këtë kuadër ajo që është përmendur shpesh është shqetësimi që ka Kosova por edhe diplomacia ndërkombëtare rreth radikalizmit fetar dhe përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Si i shihni zhvillimet e fundit rreth kësaj çështjeje?

Tracey Jacobson: Ne e kemi përgëzuar qeverinë për veprimet ligjore, bashkëpunimin e policisë, prokurorisë dhe agjencisë së zbulimit për të arrestuar individët që mund të mund të jenë kthyer nga luftimet në Siri dhe Irak me synim që të kryejnë veprime radikale në Kosovë dhe për të arrestuar dhe marrë në pyetje ata që kanë nxitur të rinjtë që të shkojnë të luftojnë e të vriten ne luftëra të huaja. Këto janë procese ligjore që po zhvillohen dhe nuk dua të komentojë për ndonjë hetim të caktuar, por dua të them se kjo nuk është vetëm çështje e sundimit të ligjit. Ne duhet ta shqyrtojmë pasqyrën më të gjerë. Çfarë është ajo që po tërheq të rinjtë që të përfshihen në një ideologji të tillë radikale që nuk është autoktone në Kosovë, por është e importuar. Çfarë i tërheq ata të marrin pjesë në të? Si shoqëri globale, duhet t’i hulumtojmë rrënjët e shkakut të këtij lloji të ekstremizmit. Mendoj se në Kosovë duhet të shohim një strategji gjithëpërfshirëse për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm, që përfshinë arsimin, zhvillimin ekonomik, që i bënë të rinjtë të ndjejnë se kanë zë në përcaktimin e të ardhmes së tyre. Këto janë fushat në të cilat jemi të gatshëm të punojmë me qeverinë dhe shoqërinë e gjerë në Kosovë dhe jam e sigurt se do të jetë një përparësi e rëndësishme për qeverinë e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Ajo që është gjithmonë çështje e hapur është ajo e bisedimeve me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme. Si po rrjedh ky proces, meqë ka ngecje në disa marrëveshje?

Tracey Jacobson: Ka pasur shumë marrëveshje që janë zbatuar. Jemi të kënaqur të shohim integrimin e policisë në veri, mbledhjen e doganave në veri. Nëse e shohim pamjen më të gjerë, mendoj se ia vlen të festohet. Kosova zhvilloi zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në tërë territorin e saj, në pajtim me ligjet e saj, komunat veriore janë ngritur në pajtim me ligjet e Kosovës. Për të ecur përpara duhet shumë punë. Madje edhe gjatë kësaj periudhe pesëmuajshe në pritje të qeverisë, puna ka vazhduar, ta zëmë në fushën e energjisë, telekomunikacionit, në çështjet e sigurimeve, në rolin e oficerëve të ndërlidhjes. Nëse do të kemi së shpejti qeverinë e re, ajo do të përballet me sfidën e arritjes së marrëveshjes për integrimin e sistemit të drejtësisë në veri që është shumë me rëndësi për sundimin e ligjit dhe për të çuar përpara themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këta janë dy hapa të rëndësishëm për qeverinë e re kur ta marrë mandatin.

Zëri i Amerikës: Kur jemi tek sundimi i ligjit, një prej çështjeve që e ka shqetësuar jo vetëm Kosovën por edhe BE-në dhe diplomacinë perëndimore ishte nëse mund ta quajmë kësisoj “afera EULEX”. A po e dëmton kjo misionin dhe sundimin e ligjit në Kosovë?

Tracey Jacobson: Dua t’ju tërheq vëmendje në artikullin e shefit të EULEX-it të botuar ditë më parë. Nuk mund të komentojmë rreth hetimeve në vazhdim, por besoj se njerëzit e EULEX-it janë të sinqertë rreth detyrimeve të tyre për të hetuar çdo dyshim për korrupsion. Ata po punojnë dhe jam e bindur që nëse gjejnë dëshmi për korrupsion, do të angazhohen ne veprime të duhura ligjore dhe nëse nuk ka dëshmi, ata duhet t’i pastrojnë emrat e atyre që janë akuzuar. Ne e mbështesim EULEX-in – kemi më shumë se 30 amerikanë të përfshirë në të - dhe i mbështesim përpjekjet e tyre për sundimin e ligjit. Më vjen mirë që e përmendet sundimin e ligjit sepse kjo është përparësi shumë e rëndësishme për qeverinë e re, për t’ju qasur problemit të korrupsionit sa i përket p.sh. vendeve të punës, prokurimit, etj.. Ajo duhet të punojë shumë për të pasur një qeveri të pastër, për të eliminuar apo ndjekur penalisht rastet e korrupsionit dhe për të ndërtuar besimin e Kosovës tek qytetarët e saj, por edhe ndërkombëtarisht si një vend që nuk do të tolerojë korrupsionin. Përndryshe, Kosova nuk do të jetë në gjendje për zhvillimin ekonomik që i duhet.

Zëri i Amerikës: Ka pasur Kosova një qeveri të ngjashme ndërmjet viteve 2007-2010. A mund të kemi përsëritje të zhvillimeve të asaj kohe kjo çfarë po ndodhë sot?

Tracey Jacobson: Unë nuk shoh nga e kaluara, por nga e ardhmja. Mendoj që Kosova ka bërë rrugë të gjatë që nga viti 2008 kur shpalli pavarësinë. Mendoj se ka përparuar shumë në dy vitet e fundit që kur jam këtu, që nga heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ne jemi të përkushtuar si qeveri dhe si ambasadë amerikane të punojmë me spektrin e gjerë të partive politike, organizatat e shoqërisë civile dhe individët për të nxitur qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik, integrimet rajonale, sundimin e ligjit dhe përparimin e mëtejmë të Kosovës në rrugën e saj evropiane.

XS
SM
MD
LG