Lidhje

Kosovë: Protestohet kundër dhunës ndaj gazetarëve


Në Prishtinë gazetarët protestuan një ditë pasi që gazetari Milot Hasimja u qëllua me thikë në mjediset e televizionit Klan Kosova

Grupe gazetarësh të medieve të Kosovës protestuan sot kundër veprimeve të dhunshme ndaj tyre. Protesta pasoi incidentin e së hënës, kur gazetari i televizionit Klan Kosova, Milot Hasimja, u qëllua me thikë nga një sulmues 22 vjeçar në mjediset e këtij televizioni në Prishtinë. Sulmuesi tashmë është në arrest. Ende nuk janë ndriçuar rrethanat e këtij sulmi i cili thuhet të jetë i ndërlidhur me një rrëfim të gazetarit Hasimja të publikuar kohë më parë në Youtube.

Protestohet kundër dhunës ndaj gazetarëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirija Shabani tha se janë shpeshtuar rastet e sulmeve e kërcënimeve ndaj gazetarëve në Kosovë, madje edhe në vendin e tyre të punës, siç ndodhi të hënën me kolegun Hasimja.

Fatmirësisht, ai i ka shpëtuar më të keqes, por e gjithë kjo dëshmon për ambientin e pasigurt, në të cilin punojnë gazetarët në Kosovë. Rasti i djeshëm i Milotit, ka treguar më së miri, sa e brishtë është siguria dhe sa lehtë cenohet fjala e lirë në vend. Është tmerruese që për mungesë të mbrojtjes së garantuar me ligj, gazetari sulmohet në vendin e punës”.

Ai u bëri thirrje organeve të sundimit të ligjit që të hetojnë të gjitha rastet e dhunës ndaj gazetarëve dhe të vënë para drejtësisë të gjithë ata që cenojnë lirinë e medies.

Ai tha se rasti i gazetarit Hasimja duhet të shënojë një pikë kthesë në përpjekjet për krijimin e një mjedisi të sigurt për punë të gazetarëve.

Nga këtu u bëjmë thirrje edhe pronarëve të medieve që të zbatojnë ligjin e punës dhe ligjin për siguri në punë. Vetëm duke respektuar ligjin dhe duke investuar në ngritjen e vetëdijes qytetare, do të ndërtojmë një shoqëri e cila respekton punën e secilit pjesëtar të komunitetit në të cilin jeton”, tha zoti Shabani

Sulmi i djeshëm nxiti shumë reagime të shoqatave të gazetarëve, organizatave humanitare e të udhëheqësve politike të Kosovës. Edhe Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, dënoi sulmin duke nënvizuar se dhuna ndaj gazetarëve duhet të trajtohet si sulm ndaj mbarë shoqërisë.

Qe nga fillimi i këtij viti, shoqatat e gazetarëve kanë regjistruar të paktën 20 raste të kërcënimeve, sulmeve e pengimit të punës së gazetarëve në Kosovë. Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të radhisin Kosovën në mesin e vende me liri të pjesshme të medies.

XS
SM
MD
LG