Lidhje

Kosovë: Dënohet sulmi ndaj gazetarit


Organizata vendase e ndërkombëtare në Kosovë janë shprehur të shqetësuara me njoftimet për sulm ndaj Gazmend Morinës, gazetar i portalit të lajmeve Veriu.info në Mitrovicë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon sulmin ndaj gazetarit të portalit “Veriu Info”, Gazmend Morina, nga asambleisti i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, punëtor i Postës dhe Telekomit në Vushtrri, një komunë jo larg Mitrovicës.

Asociacioni i Gazetarëve tha se është njoftuar se gazetari Gazmend Morina është sulmuar me shufra hekuri nga një anëtar u Kuvendit Komunal të Mitrovicës dhe disa persona të tjerë lidhur me raportimet e fundit për zhvillimet në ndërmarrjen “Trepça”.

Asociacioni i Gazetarëve kërkon nga "organet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente ndaj sulmuesve dhe kërkon nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës që të mbajë në përgjegjësi asambleistin".

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shqetësuese e të pa tolerueshme, thuhet në një njoftim në të cilin nënvizohet se se sulmi i fundit është kërcënim ndaj fjalës së lirë dhe profesionit të gazetarisë."

"Ky është edhe një rast, që tregon për vështirësitë e gazetarëve në përmbushjen e misionit profesional të tyre, për informimin rreth ngjarjeve dhe temave me interes qytetar".

Sulmi u dënua edhe nga shefi i Misionit të Organiztës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dhe përfaqësuesja e kësaj organizate për lirinë e medias, Dunja Mijatovic.

“E dënoj fuqishëm këtë sulm. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurtë, pavarësisht temës që përcjellin,” citohet të ketë thënë ambasadori Schlumberger. "Është detyrë e gazetarëve të hulumtojnëtë gjitha temat e mundshme me interes për publikun, siç edhe është obligim i zyrtarëve publikë të jenë të përgjegjshëm,” tha ai.

Ndërsa zonja Mijatovic, tha se sulmi ndaj një gazetari është sulm ndaj gjithë shoqërisë. “Siguria fizike është parakusht themelor në mënyrë që pjesëtarët e mediave të mund të bëjnë punën e tyre. Ky incident duhet të hetohet me shpejtësi dhe autorët të sillen para drejtësisë.”

Shoqatat e gazetarëve në Kosovë kanë regjistruar dhjetëra raste të sulmeve e kërcënimeve ndaj punonjësve të medias.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare, Freedom House e radhitë Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme.

XS
SM
MD
LG