Lidhje

Marrëveshja për kufirin Kosovë-Mali i Zi


Çështja e kufirit kishte nxitur shumë debate në Kosovë ku opozita pohon se vendi ka humbur mijëra hektarë tokë

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan të mërkurën në Vjenë marrëveshjen për kufirin shtetëror. Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni dhe zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.

Në një njoftim të ministrisë së jashtme të Kosovës, thuhet se dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se ajo është në "përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Martti Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike", citohet të ketë thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, tha se marrëveshja është shembull për rajonin dhe vlerësoi se është bërë në prag të Samitit të Vjenës, si konfirmim se rajoni është i përkushtuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Procesi i përcaktimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ka nxitur shumë debate në Kosovë. Opozita është e bindur se me këtë proces, Kosova humbë rreth 12 mijë hektarë tokë, ndërsa qeveria është e bindur se nuk humbë asnjë metër katrorë.

Marrëveshja për shënimin e kufirit duhet të ratifikohet nga parlamenti i Kosovës.

Kosova ka përmbyllur shënimin e kufirit me Shqipërinë pa asnjë pengesë, ndërsa shënimi i kufirit me Maqedoninë përfundoi mes shumë debatesh në tetor të vitit 2009. Por, çështja e kufijve të Kosovës nuk përmbyllet as me shënimin e kufirit me Malin e Zi. Serbia nuk e njeh pavarësinë e shtetit të ri të shpallur në shkurt të vitit 2008 dhe rrjedhimisht as kufijtë e tij.

XS
SM
MD
LG