Lidhje

Protestë në Prishtinë


Partitë opozitare në Kosovë protestuan në Prishtinë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi

Në Prishtinë, kremtimet me rastin e 28 nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë, u përshkuan edhe me një tubim protestues të partive opozitare kundër marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Udhëheqësit e opozitës bënë thirrje për anulimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre, ndan Kosovën nga brenda si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas opozitës bën që Kosova të humb rreth 9 mijë hektarë tokë.

Opozita, për më shumë se dy muaj ka bllokuar edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj këtyre marrëveshjeve. Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e seancave të tij, ndërsa protesta të përshkuara me përplasje të dhunshme kanë ndodhur edhe në rrugë.

Dy javë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi “masën e përkohshme” me të cilin pezullon zbatimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe deri në vlerësimin e përputhshmërisë së saj me Kushtetutën e Kosovës. Vendimi i Gjykatës pasoi kërkesën e bërë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga për “vlerësimin e përputhshmërisë së asociacionit me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Vendimi i Presidentes Jahjaga nxiti reagimin e Beogradit, i cili kërkoi ndërhyrjen e Bashkimit Evropian. Opozita e cilësoi pezullimin e marrëveshjes si një fitore të saj, por ka theksuar se nuk i beson Gjykatës Kushtetuese

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

XS
SM
MD
LG