Lidhje

OSBE për sigurinë e gazetarëve në Kosovë


Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, është shprehur e shqetësuar për sigurinë e gazetarëve në Kosovë dhe ka kërkuar mbrojtje e tyre. Kjo organizatë dënoi kërcënimet e fundit me vdekje ndaj Artan Haraqisë, gazetar i portalit të lajmeve Indeksonline.

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, citohet të ketë thënë se “është absolutisht e papranueshme që gazetarët t’i ekspozohen trysnisë së vazhdueshme dhe kërcënimeve me vdekje. U bëj thirrje agjencive për zbatimin e ligjit që të bëjnë të pamundurën për të siguruar që ata që paraqesin kërcënim ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sigurisë së gazetarëve, të sillen para drejtësisë”.

Artan Haraqia ka punuar me Visar Duriqin, gazetar i “GazetaExpress”, në një raport të përbashkët me temë grupet radikale myslimane që operojnë në Kosovë. Ai ka marrë kërcënimet e fundit me vdekje pas paraqitjes së tij në emisionin “Rubikon” të Kohavizionit dy ditë më parë.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Medieve, Dunja Mijatoviç, ka thënë se “ky është kërcënimi i dytë ndaj një gazetari në Kosovë këtë muaj. Liria e medieve dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të njeriut dhe duhet të mbrohen”.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi ashpër kërcënimin që i është bërë gazetarit Artan Haraqija, i cili ka raportuar se është kërcënuar me vdekje pas paraqitjes së tij në një emision ku u diskutua për ekstremizmin fetar. Ky asociacion u bënë thirrje “të gjithë personave që t`i lënë kërcënimet ndaj gazetarëve si dhe fton të gjitha organet kompetente të Kosovës që të merren seriozisht me hetimin dhe parandalimin e këtyre kërcënimeve”.

Në fillim të shtatorit, OSBE-ja dhe shoqatat vendase e ndërkombëtare të gazetarëve, reaguan ashpër ndaj kërcënimeve që i ishin bërë gazetarit Visar Duriqi, përfshirë edhe kërcënimet me prerje koke, për shkak të shkrimeve të tij mbi mënyrën e nxitjes që të rinjve myslimanë për t’ju bashkuara grupeve radikale në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG