Lidhje

Kosovë: Operacion kontrollesh lidhur me Kumanovën


Policia bastisi shtëpitë e personave të dyshuar si të përfshirë në ngjarjet e fundjavës në Maqedoni

Në Kosovë policia ka kryer një operacion kontrollesh nëpër shtëpitë e familjeve të personave të dyshuar se ishin përfshirë në përleshjen e armatosur të fundjavës në Kumanovë të Maqedonisë.

Kontrollet janë kryer me urdhër të prokurorisë së posaçme e cila tha se kushdo që e ka kaluar kufirin me Maqedoninë së fundmi do t’i nënshtrohet procedurave hetimore, ndonëse nuk është saktësuar periudha kohore.

Autoritetet në Maqedoni thanë se 23 pjesëtarë të grupit të armatosur me të cilin është përleshur policia maqedonase, janë shtetas të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre më zhvillimet në Kumanovë duke dënuar “çfarëdo përfshirjeje të shtetasve të Kosovës në incidentet në Maqedoni”. Ata thonë se janë duke bashkëpunuar me autoritetet në Maqedoni për të identifikuar personat nga Kosova të cilët janë përfshirë në përleshje, por kanë hedhur poshtë çdo mundësi që të ketë pasur çfarëdo përpjekje të organizuar nga Kosova për ndërhyrje në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG