Lidhje

Incidente gjatë protestës në Prishtinë


Mijëra janë mbledhur në qendër të Prishtinës duke kërkuar shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës dhe mbrojtjen e kompleksit të minierave Trepça

Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup protestuesish që hodhën gurë mbi ndërtesën e qeverisë së Kosovës. Incidentet shpërthyen në përfundim të një proteste me moton “Jashtë Jablanoviç – Trepça është e jona”, në të cilën morën pjesë mijëra veta.

Policia tha se 19 pjesëtarë të saj dhe 4 protestues kanë pësuar lëndime gjatë përplasjeve. Policia tha se ka shoqëruar 22 protestues.

Dëme materiale përveç në ndërtesën e qeverisë, janë shkaktuar edhe në disa prona private

Protesta e sotme pasoi protestat e ditëve të fundit në disa qytete të Kosovës kundër ministrit për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jablanoviç, i cili i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar.

Incidente gjatë protestës në Prishtinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Ministri Jablanoviç kishte kërkuar ndjesë për deklaratat e tj por protestuesit thanë se kërkim falja nuk mjafton. Ata kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa të shkarkojë ministrin e tij, ndërkohë që kryeministri i cilësoi të pamatura komentet e ministrit Jablanoviç.

Protestuesit të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, shoqata të familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës e të mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare dhe një grup organizatash joqeveritare, bënë thirrje edhe kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë.

Të hënën parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash, ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t'i hapet rrugë riorganizimit të Trepçës. Por, qeveria hoqi nga rendi i ditës çështjen e pronësisë mbi Trepçën, ndonëse kishte paralajmëruar që nëpërmjet ligjit ta shndërrojë atë ndërmarrje publike.

Qeveria e Kosovës tha se e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi i cili do të linte pa punë mijëra veta, meqë Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që ajo të hyjë në procesin e likuidimit. Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit. Ajo tha se për Trepçën do të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet prej 1 miliardë e 400 milionë eurosh që ka ky kompleks.

Opozita akuzoi qeverinë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.

Beogradi ngulë këmbë se ai është pronari kryesor i Trepçës dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.

Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.

Dënohet dhuna gjatë protestave

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha nëpërmjet një deklarate se konsideron protestën e sotme në Prishtinë si një të drejtë demokratike të qytetarëve të Kosovës për të shprehur kërkesat e tyre.

Megjithëkëtë dënoj ashpër aktet vandale të një grupi të vogël protestuesish ndaj pronës publike dhe private të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kërkoj që organizatorët e protestës të distancohen nga turmat që po sulmojnë Policinë e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e Kosovës e bizneset në qytet.

E drejta për të protestuar është e drejtë e pamohueshme që garantohet dhe ushtrohet në çdo demokraci, por atë e përcjellë edhe përgjegjësia për të ruajtur rendin publik dhe pronën e ndërtuar me shumë sakrificë, djersë e mund nga qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga në të cilin u bëhet thirrje të gjitha palëve për qetësi dhe demonstrim te pjekurisë politike dhe shoqërore.

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje thekson në reagimin e saj se “ato që kanë ndodhur jashtë marshit dhe skenarit për të cilin ishim dakorduar nuk janë pjesë e protestës. Një grup i vogël njerëzish në protestë nuk e kanë respektuar skenarin tonë dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat nuk pajtohemi. Po ashtu dënojmë ashpër dëmtimin e lokaleve private në shesh. Gjithashtu, duam të potencojmë që dy protestuesit e arrestuar nga Policia e Kosovës nuk janë aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje”.

Ndaj dhunës reaguan edhe shoqatat e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat ishin solidarizuar me protestën e së shtunës. Në një reagim të këtyre shoqatave dënohet ashpër sic thuhet, “politizimi i protestës e cila do të duhej të ishte gjithëpopullore, si dhe dënojmë sulmet që u bën ndaj policisë dhe ndërtesës së Qeverisë. Gjithashtu, dënojmë ashpër të gjithë ata që tensionuan situatën, luajtën me ndjenjat e sinqerta të qytetarëve, duke e shndërruar protestën në të kundërtën e qëllimit të saj”, thuhet mes tjerash në reagimin e shoqatave të dala nga lufta e ish UÇK-së.

Sulmohet një ekip i gazetarëve të RTK-së

Gjatë protestës së të shtunës janë sulmuar edhe dy gazetarë të Radiotelevizionit të Kosovës, të cilët raportojnë për programin në gjuhën serbe.

Drejtuesit e këtij televizioni reaguan ashpër duke e dënuar sulmin. Në një reagim të këtij mediumi thuhet se “të drejtë për të protestuar ka secili, por e drejta për të raportuar dhe ushtruar profesionin e gazetarit është e drejte fondamentale e demokracisë pavarësisht se ne çfarë gjuhe raporton. Për menaxhmentin e transmetuesit publik të gjithë gazetarët, kameramanët dhe të gjithë punëtorët tjerë pavarësisht se në cilin kanal punojnë dhe çfarë gjuhe flasin, janë përfaqësues të Radio Televizionit të Kosovës, në të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet që ndodhin në Kosovë dhe jashtë saj”.

Në reagim thuhet se programi në gjuhën serbe është pjesë e pandashme dhe rrëfim suksesi i RTK-së dhe tërë Kosovës. “Prandaj çdo sulm ne gazetarët e Kanalit te Dyte Televiziv ne gjuhën serbe është sulm direkt ndaj Transmetuesit Publik-RTK dhe sulm ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes në Republikën e Kosovës”.

Sulmi u dënua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Kryetari i kësaj shoqate, Zekiria Shabani i tha RTK-së se “dhuna e shfrenuar grupore ndaj gazetareve është akt i shëmtuar, qyqar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Sulmet ndaj gazetarëve, të çfarëdo lloj përkatësie etnike qofshin ata, janë të papranueshme. Vlerësoj se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së mediave, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informua`”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje shprehu keqardhjen duke e dënuar ashpër sulmin ndaj ekipit të programit të dytë të Radiotelevizionit të Kosovës, që transmeton në gjuhën serbe.

Çfarëdo sulmi që bëhet ndaj gazetarëve, përveç sulm ndaj integritetit të individit, është sulm ndaj fjalës së lirë, e së këndejmi i papranueshëm dhe i dënueshëm. Mirëpo sulmi ndaj gazetarëve në baza etnike merr dimension edhe më të rëndë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër serbëve të Kosovës dhe ata i konsideron qytetarë të barabartë të vendit. Problem i Kosovës është shteti serb dhe strukturat e tij brenda Kosovës, të cilat e dëmtojnë në vazhdimësi sovranitetin dhe integritetin territorial.

Urojmë që kësi lloj sulmesh mos të përjetojë asnjë gazetar në vend, pa dallim etnie, feje apo race”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

XS
SM
MD
LG