Lidhje

Schwendiman: Votimi i Gjykatës së Posaçme – një hap i madh


Kryeprokurori i Grupit Hetues të BE-së, David Schwendiman, tha se Kosova është një hap më afër përballjes njëherë e përgjithmonë me pretendimet për krime lufte

Kryeprokurori i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë, David Schwendiman, mirëpriti miratimin e Gjykatës së Posaçme nga parlamenti i Kosovës.

Në një deklaratë ai është shprehur i inkurajuar me rezultatin e votimeve që “e sjellin Kosovën një hap më afër përballjes njëherë e përgjithmonë me dyshimet serioze të përfshira në raportin e Këshillit të Evropës të muajit janar 2011.

“Nënvizojmë se procesi i ngritjes së dhomave të posaçme ende nuk është përmbyllur dhe duhen edhe hapa të tjerë. Së këndejmi nxisim të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë me përpjekjet që këta mekanizma juridik të jenë funksional sa më parë që është e mundur,”, thuhet në deklaratë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, amerikani David Schwendiman, është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e këtyre pretendimeve, duke pasuar në këtë post prokurorin amerikan Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit të kaluar nga kjo detyrë.

Në fund të muajit korrik të vitit 2014, prokurori Williamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Të hënën, më 3 gusht, parlamenti i Kosovës, miratoi ndryshimet kushtetuese për ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë këto pretendime si dhe ligjin për ngritjen e kësaj gjykate.

XS
SM
MD
LG