Lidhje

Përfundon takimi Thaçi – Daçiç


Të dy kryeministrat do të takohen sërish më 4 mars në Bruksel

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç përfunduan raundin e pestë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ndërmjetësuesja e bisedimeve, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton në një deklaratë për opinion tha se “të dy kryeministrat janë kthyer në kryeqytetet e tyre për këshillime dhe do të kthehen në Bruksel më 4 mars për diskutime të mëtejshme.

Kryeministrat janë të kënaqur më përparimin e dukeshim që kanë arritur sikundër edhe unë”, thuhet në deklaratën e shkurtër të zonjës Ashton.
Por ajo nuk ka dhënë më shumë hollësi se për çfarë përparimi bëhet fjalë.


****
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, pritet të vazhdojnë sot bisedimet e filluara të martën me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Të dyja vendet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që është kusht për integrimet evropiane.

Për rreth tre orë, dy kryeministrat kanë debatuar çështjen e strukturave të mbështetura nga Beogradi në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Nuk është thënë nëse ka pasur ndonjë përafrim qëndrimesh ndërmjet palëve, por gjatë mbrëmjes kanë vazhduar këshillimet e të gjitha palëve, përfshirë edhe angazhimin e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Philip Reeker i cili po qëndron në Bruksel në mbështetje të procesit të bisedimeve.

Zoti Reeker është takuar ndarazi me të dy kryeministrat dhe një zyrtar i departamentit të shtetit tha se ai do tu transmetojë të dyja delegacioneve rëndësinë e punës së përbashkët konstruktive në agjendën e përcaktuar nga zonja Ashton. Shtetet e Bashkuara tha ai, do të vazhdojnë të mbeten tërësisht të angazhuara me qeveritë e tyre dhe me Bashkimin Evropian në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Para takimit të së martës, kryeministri Thaçi tha se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara, drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Kryeministri Thaçi tha se “në këto bisedime të paraqesë qëndrimin e Prishtinës për shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri dhe shpërbërjen e strukturave të paligjshme të Serbisë në zonë”.

Beogradi ndërkaq ka ritheksuar synimin për një shkallë të autonomisë për komunat me shumicë serbe në veri. Kryeministri serb Ivica Dacic ka shprehur gatishmërinë që të diskutohet çështja e strukturave paralele por jo shuarja e tyre, ndërsa presidenti serb Tomislav Nikoliç ka deklaruar se strukturat aktuale mund të shuhen për të krijuar hapësirë që të ngrihen strukturat e reja që do të drejtoheshin nga serbet.

Përfaqësuesit e serbëve në veri thonë ndërkaq se nuk do të lejojnë shuarjen e institucioneve serbe në zonë dhe kanë përsëritur kërkesën për anulimin marrëveshjeve të arritura në bisedimet Kosovës Serbi, përderisa të mos flitet për çështjen e statusit të Kosovës, që sipas tyre mbetet ende i pazgjidhur.

Dita e sotme, mund të sjellë ndonjë marrëveshje fillestare, ndërsa ndërmjetësuesja Ashton synon që deri në gjysmën e muajit prill të sigurojë një marrëveshje kuadër për veriun e Kosovës.

Më 22 prill ajo duhet të raportojë para këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian për rezultatet e bisedimeve, nga përfundimi i të cilave varet rrugëtimi i të dyja vendeve drejt strukturave evropiane.

BE: Bisedimet – thelbësore për rrugën evropiane

Hashim Thaci dhe Herman van Rompuy
Hashim Thaci dhe Herman van Rompuy

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se përparimi në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është më rëndësi thelbësore për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Ata i bënë këto komente në prag të fillimit të raundit të ri të bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Këshillit Evropian Herman van Rompuy, tha sot pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi se Kosova duhet të përmbushë kriteret afatshkurtra, në lidhje me sundimin e ligjit, tregtinë, administratën publike dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare, si kusht për të përparuar në procesin evropian, ndërsa ka vënë theksin tek rëndësia e takimit të sotëm të dy kryeministrave.

Rezultatet konkrete në bisedime janë thelbësore për përparimin në rrugën evropiane, edhe për Kosovën, edhe për Serbinë”, tha zoti van Rompuy.

Ndërsa kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, se ky vit është vit shumë i rëndësishëm për procesin e integrimit të Kosovës në BE, ndërsa kjo është java kur priten rezultate konkrete në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga afro 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Diplomatët i kanë kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës si kusht që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Hashim Thaci dhe Jose Manuel Barroso
Hashim Thaci dhe Jose Manuel Barroso

Kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso tha sot se nëse Kosova i përmbush kushtet e caktuara në Studimin e Fizibilitetit të Komisionit Evropian, mund të presë në muajin qershor edhe lëvizjen drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Ai i bëri thirrje Prishtinës që të bëjë më shumë edhe në zbatimin e kritereve të përcaktuara për përfshirjen e Kosovës ne procesin e liberalizimit të vizave.
Kryeministri Thaçi tha se Kosova do të punojë në përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve që ka marrë nga Bashkimi Evropian.

Tani nuk kemi kohë për të humbur. Brukseli nuk duhet vonuar. Qytetarët e Kosovës janë duke pritur me padurim që të lëvizin drejt proceseve integruese, në veçanti në procesin e lëvizjes së lirë, që tani është më tepër si pengesë politike sesa teknike, por Kosova do të punojë që t’i kryej obligimet dhe do t’i zbatojë të gjitha kriteret demokratike në kohë rekorde”, tha kryeministri Thaçi.
XS
SM
MD
LG