Lidhje

Sonte raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paraprakisht do të marrin pjesë në konferencën për “Ballkanin Perëndimor”

Më Bruksel të martën mbahet raundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një njoftim të zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, thuhet se ajo do të ndërmjetësojë takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku do të shqyrtohet “përparimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedime dhe do të shkëmbehen pikëpamje në rrugën drejt procesit të normalizimit”.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se temë kryesore e takimit të së martës do të jetë çështja e Telekomunikimeve.

Takimi i fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë është mbajtur më 9 shkurt kur ishte arritur marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i mundësuan Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet gjatë këtij viti, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve është kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedime për hir të integrimeve evropiane.

Paraprakisht, kryeministrat e rajonit do të marrin pjesë në konferencën e radhës “Ballkani perëndimor”.

Bashkimi Evropian ka zotuar një miliardë euro për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së rajonit, të cilat do të mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta të transportit rrugor dhe hekurudhor.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për ndërtimin e autostradës që lidhë Prishtinën më qytetin e Nishit në jug të Serbisë dhe shpresojnë që ndërtimi i saj të financohet nga Bashkimi Evropian.

Takim i së martës ku marrin pjesë kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina, është vazhdim i konferencës së Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin. Konferenca ishte vlerësuar si një përpjekje për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të rajonit, edhe nëpërmjet zhvillimit më të shpejtë ekonomik të tij.

XS
SM
MD
LG