Lidhje

Prishtina e Beogradi diskutuan zgjedhjet në Kosovë


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, i dhanë fund takimit të tyre në Bruksel, me pajtimin që të respektohen vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të Mitrovicës pas dështimit të zgjedhjeve në tri qendra votimi.

Prishtina e Beogradi diskutuan zgjedhjet në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00


Votimet në veri u dëmtuan nga incidentet e së dielës mbrëma, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime në veri të Mitrovicës.

Ndërmjetësuesja e bisedimeve, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, e cilësoi si shumë të mirë takimin me kryeministrat Thaçi e Dacic të cilët sipas saj, janë pajtuar për hapat e mëtejmë të përmbylljes së suksesshme të procesit të zgjedhjeve në veriun e Kosovës.

Hollësitë do të përcaktohen nga autoritetet përgjegjëse në Prishtinë, por jam e kënaqur me përparimin e arritur” tha zonja Ashton.

Në Prishtinë ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi anulimin e zgjedhjeve të tre nëntorit për tri qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës veriore për shkak të dëmtimit të kutive të votimit. ndërsa në orët e pasdites vendosi që rivotimet të mbahen më 17 nëntor.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se takimi ishte konstruktiv dhe se aty u vlerësua lartë procesi zgjedhor i tre nëntorit, me të cilat tha ai, Kosova ka kaluar sprovën evropian me organizimin e votimeve në tërë vendin dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.

Ai mbështeti vendimin e Komisionit të Zgjedhjeve për anulimin e votimeve në veriun e Mitrovicës dhe përsëritjen e tyre para një dhjetorit kur mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për pushtetin komunal.

Nga 1 dhjetori do t‘i kemi edhe liderët legjitimë edhe në veri dhe Qeveria e Kosovës do të nisë bashkëpunimin e menjëhershëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje për të mirë, sepse kemi edhe vlefshmëri dhe legalitet të plotë të zgjedhjeve”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se serbët duhet të marrin pjesë në mënyrë masive në rivotimet aty ku janë anuluar zgjedhjet.

Nëse serbët nuk dalin, mund të zgjidhet një shqiptarë në postin e kryetarit të komunës dhe kjo mund të nxisë tensione dhe mund të ketë edhe konflikte madje mbase edhe të dhunshme dhe Serbia nuk mund të ndihmojë”, tha kryeministri serb.

Përfshirja e komunave veriore me shumicë serbe në zgjedhjet komunale të Kosovës, ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në muajin prill nga kryeministrat Thaçi e Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.

Pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që sipas marrëveshjes do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.

Takimi i radhës ndërmjet kryeministrave pritet të mbahet më 5 dhjetor, pak ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve komunale në Kosovë.
XS
SM
MD
LG