Lidhje

Fatmir Limaj – në paraburgim


Një gjykatës i EULEX-it urdhëroi dërgimin në paraburgim të zotit Limaj dhe tre të tjerëve që akuzohen për krime lufte.

Një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, urdhëroi dërgimin në paraburgim të deputetit të Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe tre të tjerëve të akuzuar për krime lufte. Zotit Limaj dhe Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit e Naser Shalës ju caktuan nga tridhjetë ditë paraburgim, pas marrjes në pyetje të tyre për disa orë me radhë.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se “kryetari i trupit gjykues, duke i dhënë arsyet për vendimin e tij për paraburgim, vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit kanë kryer krimet me të cilat ngarkohen, se ekziston rreziku i ikjes dhe i dëmtimit të provave duke pasur parasysh faktin se ata janë të akuzuar nën supozimin se kanë kryer vepra penale shumë serioze, si dhe faktin se në fillim të kësaj jave Gjykata Supreme ka shpallur si të pranueshme dëshmitë nga një dëshmitar i mbrojtur”.

Më 20 nëntor, Gjykata e lartë e Kosovës vendosi të kthejë në rigjykim Fatmir Limajn dhe tre ish bashkëluftëtarë të tij, gjashtë muaj pasi ata ishin liruar nga akuzat për krime lufte.

Një trup i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtar dhe dy vendas të gjykatës së lartë, vendosi që kërkesa e prokurorit të çështjes për rishqyrtim të lëndës të merret për bazë pjesërisht.

Në muajin maj të këtij viti deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999.

Akuza, mbështetej kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani. Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të këtij viti, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve thanë se do të apelojnë vendimin e gjykatës për dërgimin në paraburgim, duke e cilësuar atë si të motivuar dhe të ndikuar politikisht.
Tahir Rrecaj, avokat i zotit Limaj, tha se ai është kthyer nga Tirana për t’u paraqitur në ftesën e EULEX-it dhe së këndejmi është e papranueshme që të thuhet se ai mund të shmangë drejtësinë.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Javën e kaluar, EULEX-i bëri të ditur është ngritur aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Akuzat u ngritën më shumë se dy vjet pasi që EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit që drejtohej nga zoti Limaj.
XS
SM
MD
LG