Lidhje

Tregtia në zonën e Krimesë


Një vit pasi Rusia aneksoi Krimenë prej Ukrainës, duke shkaktuar tensionet më të larta me Perëndimit gjatë dekadave të fundit, ky gadishull i Detit të Zi është përgjithësisht i izoluar nga pjesa kontinentale e Ukrainës. Tregëtia është tkurrur dhe mallrat sillen me traget, duke rritur kështu çmimet dhe periudhën e pritjes, si dhe duke ulur cilësinë e produkteve.

Firma “Almaz Glass Design” merrte dikur xham evropian të cilësisë së lartë të importuar nëpërmjet Ukrainës. Por, që kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë, furnizimi ka shteruar.

Pronari Vitaly Kocharyavy tani merr materiale të cilësisë më të ulët nëpërmjet Rusisë.

“Puna na është bërë më e vështirë; janë shtuar netët pa gjumë, problemet me furnizimin dhe materialet. Asnjë nga këto probleme nuk po zgjidhen.”

Zoti Kocharyavy thotë se ndërkohë që janë rritur rrogat nën regjimin rus, fuqia blerëse e klientëve të tij ka rënë dhe fitimet kanë mbetur në vend.

Ai thotë se duhet mbështetje me kredi për bizneset e vogla në mënyrë që të blejnë paisje më të mira evropiane.

Oleg Krinitsyn është pronar i disa dyqaneve të djathit që vjen nga Ukraina, produkt i cili nga çdo ditë, tani vjen vetëm një herë në javë ose dhe më rrallë.

“Në anën e Krimesë, roja kufitare dhe zyrtarët e doganës janë tepër skrupullozë. Kështu që kamionët qëndrojnë në pritje për javë të tëra. Mediat thonë se është pala ukrainase që vonon kamionët, por është në realitet e kundërta.”

Zoti Krinitsyn po përpiqet të gjejë furnitorë të rinj në Rusi, pasi ukrainasve nuk u lejohet të furnizojnë Krimenë.

“Nuk kemi asnjë plan për të zgjeruar biznesin, pasi nuk dimë se si do të vijnë gjërat, ose ç’drejtim tim do të marrin erërat politike. Sidoqoftë, shpresojmë që një ditë gjërat do të zënë vend. Dhe vetëm atëherë do të vendosim nëse do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu apo të mbyllim biznesin dhe të shkojmë diku tjetër.”

Por, disa biznese ruse shikojnë mundësira të reja ndërkohë që autoritetet po përpiqen ta bëjnë Krimenë të pavarur nga furnizimet e Ukrainës.

Igor Goncharov është drejtor i “Spetsnasprom”, një firmë ruse e pompave industriale e cila filloi aktivitet edhe në Krime në muajin maj.

“Jemi duke furnizuar me paisje pompash bazuar në një program federal të Presidentit Putin, të quajtur ‘Bonifikimi i Krimesë’, që synon të bëjë të pavarur nga furnizimi me ujë i Ukrainës.”

Pavarësisht nga problemet ndërkufitare dhe të tregtisë, shumica këtu janë optimistë, thotë zyrtari lokal Sergei Gorbachev.

“Sanksionet nuk sollën ndonjë të keqe të prekshme për ne. Për sa i përket njerëzve të thjeshtë, ne jemi realisht në një gjendje emocionale të rritur. Ne e shohim të ardhmen. E ardhmja është progresi me Nënën Rusi.”

Ndërkohë, Krimea mbetet një ekonomi e bazuar vetëm në paranë e thatë, pasi kartat e kreditit nuk pranohen, bankat janë të kufizuara dhe inflacioni është i lartë.

XS
SM
MD
LG