Lidhje

Rusia i vë veton rezolutës për Krimenë


Rusia i vuri veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila bënte thirrje për të mos e njohur rezultatin e referendumit që do të mbahet nesër në rajonin ukrainas të Krimesë.

Rusia ishte i vetmi vend i Këshillit që votoi kundër, ndërsa Kina abstenoi. Të 13 vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit votuan në favor.

Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin tha se rezoluta binte në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Vendimi i Kinës për të mos ndjekur Rusinë dhe për të abstenuar mund të jetë tregues i një izolimi të mëtejshëm të Moskës.


Ambasadori kinez në OKB, Liu Gje-Yi tha se hartimi i kësaj rezolute nga Këshilli i Sigurimit në një moment të tillë vetëm se do të çonte në konfrontim dhe do ta ndërlikonte më tej gjendjen.

Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, duke reaguar për mosmiratimin e rezolutës tha se ky është një moment i trishtueshëm.

Referendumi i së dielës u jep banorëve të Krimesë vetëm dy zgjedhje: bashkimin me Rusinë ose forcimin e ndjeshëm të autonomisë së tyre brenda Ukrainës.

Një votim në favor të bashkimit me Rusinë shihet gjerësisht si rezultat i sigurtë i referendumit në këtë rajon me shumicë rusishtfolëse të Detit të Zi, i cili ka shërbyer si strehë për marinën ruse që nga shekulli i 18.

Rezoluta e OKB-së riafirmonte tërësinë tokësore të Ukrainës dhe shpallte se referendumi i së dielës "mund të mos jetë i vlefshëm".

Sot, dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në qendër të Moskës për mitingje rivale lidhur me Krimenë.

Mbështetësit e referendumit valëvisnin flamuj rusë dhe të Bashkimit Sovjetik ndërsa marshonin në Sheshin e Revolucionit të Moskës.

Nga ana e tyre, kundërshtarët e referendumit brohorisnin dhe mbanin flamuj të Ukrainës dhe të Rusisë. Disa prej tyre shprehnin shqetësim se ndërhyrja ruse në Krime mund të çojë në luftë.
XS
SM
MD
LG