Lidhje

Fidel Castro, fjalim para mbështetësve


Në një fjalim të rrallë publik të martën, ish-udhëheqësi i Kubës, Fidel Castro u tha mbështetësve të partisë komuniste se, ndërsa ai është afër fundit të jetës, revolucioni që ai e udhëhoqi më shumë se pesë dekada më parë do të jetojë.

"Unë së shpejti do të bëhem 90 vjeç. Kurrë nuk kam menduar për këtë dhe ajo kurrë nuk ka qenë fryt i një përpjekje po thjesht një rastësi. Së shpejti do të jem si gjithë të tjerët. Do të vijë koha për të gjithë ne, por idetë e komunistëve kubanë do të mbeten".

Fidel Castro të martën foli në mbyllje të kongresit të Partisë Komuniste të Kubës që u mbajt në Havanë, i cili sapo kishte ri-emëruar vëllain e tij 84-vjeçar, Raul Castro, si kryetar të partisë për pesë vitet e ardhshme.

Shumë analistë prisnin një largim të udhëheqësve veteranë të partisë, shumë prej tyre në moshat 70 ose 80 vjeç, për t’i hapur rrugën drejtuesve të rinj.

Por, Raul Castro gjithashtu pranoi se brezit të tij po i vjen fundi i kohës në pushtet.

"Brezi historik do të paraqesë flamujt e Revolucionit dhe Socializmit pa asnjë gjurmë trishtimi apo pesimizmi dhe me krenari e ka përmbushur detyrën. Ju të gjithë do të dini se si ta vazhdoni dhe zgjeroni punën Revolucionare për të cilën keni dhënë energjinë tuaj më të mirë dhe jetën e shokëve të nderuar".

Zoti Castro më herët kishte bërë thirrje për ndryshime drastike të stilit sovjetik të drejtimit të ekonomisë së Kubës, duke kërkuar që krerët më të lartë të dalin në pension në moshën 70 vjeçare.

Por ai gjithashtu la të kuptohet se rregullat e reja nuk do të zbatoheshin deri në kongresin e ardhshëm të partisë në vitin 2021.

Kongresi që mbahet një herë në pesë vjet i përfundoi punimet një muaj pas vizitës historike të presidentit amerikan Barak Obama në Havanë, vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë në gati 90 vjet. Që atëherë, udhëheqësit kubanë janë përpjekur të portretizojnë vizitën si një përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të nxitur kubanët e thjeshtë që të heqin dorë nga vlerat socialiste të vendit dhe të përqafojnë vlerat e një demokracie shumë-partiake.

XS
SM
MD
LG