Lidhje

Reagime për Aktin e Imigracionit


Presidenti Barack Obama shkon sot në Las Vegas për të marr mbështetje publike për urdhërin e tij ekzekutiv që do të ndryshojë sistemin e imigracionit. Shumë hispanikë e mirëpresin njoftimin e Presidentit Barak Obama, për të mos i depërtuar miliona banorë të Shteteve të Bashkuara pa dokumente. Në Los Anxhelos shumë imigrantë ishin mbledhur mbrëmë për të parë njoftimin e Presidentit përmes televizionit, që disa banorë po e përshëndesin, por disa të tjerë kanë shprehur rezerva.

23-vjeçarja Diana Ramos, e cila ka lindur në Meksikë, thotë se ky veprim i Presidentit i ndihmon prindërit e saj, të cilët janë pa dokumente, por që i kanë fëmijët qytetarë amerikanë. Kjo i bën ata të kualifikohen për planin e ri.

“Kjo i sjell shumë shpresë familjes sime, tani nuk do të jetojmë më me frikë.”

Pilar Galvez, shtetase amerikane e lindur në El Salvador, thotë se masa e re do t’i ndihmojë shumë të ardhur nga vendi i saj në Shtetet e Bashkuara.

“Jam e lumtur që zoti Obama po e bën këtë për familjet që punojnë shumë për të patur një jetë më të mirë për familjet e tyre dhe njëkohësisht kontribuojnë në begatinë e Amerikës.”

Në Hjuston, Jesus Mejia, immigrant nga Guatemala, është i kënaqur me vendimin e Presidentit.

“Është diçka e mirë. Është njerëzore të kuptosh situatën e një emigranti, sepse ne kemi ardhur këtu jo për qejf, por nga nevoja.”

Por Teresa, shtetase amerikane që ka ardhur nga Ekuadori, shtron pyetjen, në se Presidenti po e vonon reformën afatgjatë të imigracionit, duke mos bashkëpunuar me Kongresin.

“Duhet të ketë një marrëveshje mes tyre, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë njerëz.”

Ajo gjithashtu shqetësohet për fatin e imigrantëve të paligjshëm me precedent kriminal që qëndojnë këtu.

Zoti Obama thotë se plani i tij do të shoqërohet me shtimin e masave të sigurisë në kufi dhe me deportimin e kriminelëve.

Republikanët në Kongres thonë se vendimi i Presidentit ka shkaktuar zemërim dhe e akuzojnë Presidentin për tejkalimin e autoritetit të tij.

Xiomara Corpeno e Koalicionit për të Drejtat Njerëzore të Imigrantëve. në Los Anxhelos e quan veprimin e Presidentit një hap të rëndësishëm, por shton se duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë.

“Ne e dimë se është e nevojshme një marrëveshje ndërpartiake. Republikanët duhet të zgjohen dhe të kuptojnë, se në se duan që në vendin tonë të ketë një shoqëri gjithëpërfshirëse, duhet që ata të miratojnë reformën e imigracionit.”

Presidenti Obama thotë se shpreson që kjo do të ndodhë. Por republikanët në Kongress thonë se tani një marrëveshje e tillë mund të jetë më e vështirë.

XS
SM
MD
LG