Lidhje

Lufta e Ukrainës dhe të zhvendosurit


Dy vjet pas fillimit të luftës në Ukrainë, shumë njerëz të prekur prej saj, e shohin atë si një konflikt të ngrirë dhe të harruar nga pjesa tjetër e botës. Deri tani përpjekjet diplomatike kanë dështuar dhe shumë e shohin një shkallëzim të mëtejshëm, ose heqjen dorë nga territori si alternativën e vetme për t’i dhënë fund luftës. Korrepondenti i Zërit të Amerikës për Europën Luis Ramirez njofton nga Donetsku, në Ukrainën Lindore:

Pjesa më e madhe e Ukrainës Lindore bart shenjat e ditëve më të rënda të luftës, që nga fillimi i saj në vitin 2014.

Kur shtëpia e Olga Aleshychkinas u bombardua dhe asaj ju shkatërrua biznesi, familjes së saj ju desh ta fillonte nga e para.

“Të paktën për fëmijët e mi, nuk dua që të përjetojnë të njëjtën gjë. Natyrisht, që unë e kuptoj se ne nuk mund t’i kthejmë mbrapsht çka kishim më parë, kjo është e sigurtë, por të paktën le të mos e keqësojmë situatën për asnjeri.”

Familja e saj u vendos në qytetin Kramatorsk. Pastaj predhat ranë edhe këtu.

“U tmerrova si atje edhe këtu, kudo ishte njëlloj. Mendonim se do të gjenim paqe, por edhe këtu filloi i njëjti proces.”

Olga është një nga personat me fat, sepse ajo të paktën e ka gjetur një apartament për të qëndruar.

Shumë të tjerë përfundojnë në strehime që drejtohen nga vullnetarët.

Këto ditë, kushtet ekonomike janë duke i detyruar shumë vetë të largohen nga zona e luftës. Në kushtet kur minierat janë mbyllur, apo shkatërruar, nuk ka më punë. Për shumë njerëz, largimi është alternativa e vetme ndaj asaj për t’iu bashkuar grupeve separatiste. Konflikti ka mbetur në vend, ashtu sikurse edhe jeta e njerëzve.

“Nuk na duhet një konflikt i ngrirë në Ukrainë, por çlirimi i territoreve tona, rivendosja e kufijve. Meqenëse në Ukrainë ka luftë, na duhet të përdorim metoda ushtarake për ta fituar atë. Pra, ngecja nuk është alternativë. Lufta mund të fitohet, ose të humbet.”

Olga po përpiqet të krijojë një jetë normale për familjen e saj, me sa mundet dhe ajo lutet që të ndodhë një mrekulli.

“Jemi të shqetësuar, por përpiqemi ta kapërcejmë këtë gjendje. Kur shoh brezin e ri, lumturohem dhe mendoj se gjithshka do të shkojë mirë. Këtë dua".

Në çdo kohë mund të fillojë një ofensivë e re madhore dhe të dyja palët janë duke u përgatitur.

Ndërsa i largohemi zonës së luftës, një autokolonë e gjatë e ushtrisë ukrainase niset drejt frontit. Dy vjet më pas, luftës ende nuk i duket fundi.

Shumë njerëz e shohin konfliktin në Ukrainë si një një luftë të autorizuar mes Perëndimit dhe presidentit rus Vladimir Putin, një lojë vdekjeprurëse, në mesin e së cilës kanë ngecur njerëzit e rajonit, mijëra jetë kanë humbur dhe mijëra të tjera janë shkatërruar. Të gjithë duan që lufta të marrë fund, por askush nuk e di se si do të arrihet kjo.

XS
SM
MD
LG