Lidhje

Treni vret 14 emigrantë në Maqedoni


Policia tha se dhjetëra emigrantë nga vende të Afrikës dhe Lindjes së Mesme po ecnin nëpër binarë kur u goditën nga treni.

Të paktën 14 veta kanë humbur jetën në n një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në hekurudhën Veles – Shkup, në Maqedoni. Të gjithë ata ishin emigrantë nga vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme.

Sipas autoriteteve maqedonase, ata ishin duke ecur nëpër binarë kur janë goditur nga treni në lëvizje. Sipas njoftimeve të para, treni ka përplasur një grup prej disa dhjetëra personash, ndërsa nuk dihet sa është numri i të lënduarve.

Një zëdhënëse e policisë së qytetit të Velesit, tha se trupat e 14 viktimave janë dërguar në morgun e qytetit, ndërsa në stacionin policor janë ndaluar 8 emigrantë. Një grup më i madh emigrantësh, tha ajo, kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Policia tha se disa nga viktimat janë nga Somalia dhe nga Afganistani.

Emigrantët afrikanë dhe të vendeve të Lindjes së Mesme e përdorin Maqedoninë si vend kalimtar për në Serbi e më pas për në vendet e Bashkimit Evropian.

Ky nuk është incidenti i parë kur emigrantë të atyre zonave humbin jetën në hekurudhat e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG