Lidhje

Kthehen në Kosovë trupat e të vrarëve në Kumanovë


Nëntë shtetas të Kosovës janë vrarë gjatë përleshjeve të 9 e 10 majit në Kumanovë të Maqedonisë, që nxitën reagime në shkallë të gjerë. Shkupi reagon ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Në orët e hershme të së premtes, arritën në Kosovë trupat e nëntë shtetasve të Kosovës të vrarë gjatë një përleshjeje të armatosur më nëntë dhe dhjetë maj në Kumanovë të Maqedonisë.

Autoritetet maqedonase u dorëzuan trupat familjarëve në natën ndërmjet të enjtes dhe premtes në Shkup.

Përleshjet në Kumanovë lanë pas vetes 18 të vrarë, nga të cilët tetë pjesëtarë të policisë maqedonase dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, nga i cili u arrestuan 26 veta, 21 prej të cilëve shqiptarë të Kosovës.

Hollësitë e përleshjeve vazhdojnë të mbeten të paqarta.

Familjarët e të vrarëve kanë kërkuar një ekspertizë të re ligjore në Prishtinë, me shpresën se kjo mund të hedhë më shumë dritë në atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë.

Ata u kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të ushtrojnë trysni mbi palën maqedonase për të ndriçuar rrethanat e ngjarjeve në Kumanovë, por edhe për të mbrojtur të arrestuarit, për të cilët ata thanë se po u nënshtrohen torturave.

Prishtina zyrtare ka bërë thirrje për një hetim të pavarur e gjithëpërfshirës të ngjarjeve në Kumanove, duke nënvizuar se hetimi duhet të mbështetet nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Autoritetet kanë mohuar çdo mundësi që të kenë pasur njohuri për mundësinë e shpërthimit të incidenteve të tilla, ndërsa kanë nënvizuar se Kosova nuk ka nxitur as mbështetur veprime kundër Maqedonisë.

MPJ e Maqedonisë reagon ndaj vlerësimeve të kryeministrit Rama

Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme reagoi të premten lidhur me debatet që kanë nxitur ngjarjet në Kumanovë.

Në një komunikatë të kësaj ministrie thuhet se “bllokadat dhe kërcënimet nuk janë në frymën e vlerave evropiane dhe nuk i kontribuojnë qëndrueshmërisë së rajonit”. Ky reagim ndaj, siç thuhet në komunikatë, “deklaratave të përfaqësuesve të huaj nga fqinjësia dhe më gjerë që kanë të bëjnë me Maqedoninë”, vjen pas deklaratave të që kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri të mërkurën, duke thënë se Maqedonia s’mund të bëhet pjesë e NATO-s pa garantuar në frymë dhe në germë vlerat dhe parimet e Aleancës dhe pa garantuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Autoritetet maqedonase thanë është synim strategjik i Maqedonisë që të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se kjo është në interes të qytetarëve të saj, dhe në të mirë të paqes dhe qëndrueshmërisë në vend dhe në rajon.

Bashkëjetesa ndëretnike dhe respektimi i dallimeve kulturore, etnike dhe fetare dhe i të drejtave të njeriut janë themeli i shoqërisë së Maqedonisë dhe i rendit kushtetues”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet “nevoja për bashkëpunim të sinqertë dhe mbështetje pa rezervë nga fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Reagimi i Shkupit, po ashtu pasoi deklaratën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se Shqipëria dhe Bullgaria kanë pretendime territoriale ndaj Maqedonisë, pohime që u hodhën poshtë nga të dyja këto vende.

XS
SM
MD
LG