Lidhje

Maqedoni: Opozita vazhdon bojkotin e parlamentit


Opozita maqedonase e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate, ka vazhduar me bojkotin e parlamentit edhe të mërkuren, ndërsa pret të marrë vendim nëse do të vazhdojë pjesëmarrjen në qeverinë teknike ose do të tërhiqet.

Aktualisht, LSD ka dy ministra, atë të Rendit dhe të Punëve e politikës sociale në kabinetin e Emil Dimitrovit. Partia kundërshton këmbënguljet e partive në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI që zgjedhjet të mbahen më 24 prill.

LSD vlerëson se nuk ka kushte, nuk është bërë pastrimi i regjistrit zgjedhor dhe as nuk është miratuar ligji për rregullimin e punës së medias dhe transformimit të radio-televizionit publik. Opozita ka paralajmëruar se do t’i bojkotojë zgjedhjet e parakohshme, nëse ato mbahen me datë 24 prill.

Nga ana tjetër, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evroian, OSBE, ka njoftuar për përgatitjet mbi vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve. Pritet që OSBE të dërgojë mbi 300 vëzhgues. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar nuk ka përmendur ndonjë datë.

Diplomatët perëndimorë shprehen në mbështetje të reformave që burojnë nga marrëveshja e 2 qershorit dhe 15 korrikut, që në opinion njihet si marrëveshja e Përzhinës.

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, ka shkruajtur në Twitter se zbatimi i marrëveshjes së Përzhinës është një çështje thelbësore për thellimin e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, një gjë që SHBA e mbështetë fortë. Ai më tej thekson se dorëheqja e kryeministrit Gruevski është një kthesë e rëndësishme në këtë proces.

Po ashtu janë edhe zgjedhjet e besueshme, nënvizon amabasadori duke lënë të kuptohet se do të vazhdohet me mbështetjen për përgatitjet e zgjedhjeve, për punën e Komisionint Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe reformat në fushën e medias dhe në sfera të tjera.

“Koha është e shkurtër”, shkruan ambasadori Bejli, ndërsa u bën thirrje të gjitha partive dhe organizatave që të marrin pjesë në zgjedhje; “Kjo është mënyra më e mirë për përmirësimin e institucioneve dhe për të siguruar një proces të besueshëm. SHBA do të vëzhgojnë përparimin e këtij procesi dhe do të bëjmë vlerësimet tona, siç do të bëjë dhe BE, OSBE dhe organizatat të tjera”, shkruan ambasadori amerikan Jess Baily në Twitter.

Ndërkaq, ambasadori Aivo Orav i Bashkimit Evropian në Shkup, ka bërë njoftime shqetësuese gjatë një debati në parlamentin e Maqedonisë, duke thënë se përfaqësuesit evropianë këtu ndjehen të kërcënuar, ndonëse po bëjnë përpjekje për zgjidhjen e krizës që ka përfshirë vendin.

Ambasadori evropian vlerëson se në Maqedoni ka filluar një fushatë negative në media kundër ndërmjetësve evropianë në krizën politike të këtij vendi, përkatësisht kundër komisionerit Johannes Hahn dhe diplomatit belg Peter Van Houtte, por dhe kudnër delegacionit evropian në Shkup, që ka bërë të shtohen masat e sigurisë.

XS
SM
MD
LG