Lidhje

Malajzia hedh poshtë akuzat lidhur me avionin e zhdukur


Autoritetet malajziane mohuan akuzat se kanë dhënë informacione kontradiktore për avionin me 239 njerëz në bord, ndërsa kërkimi hyri në ditën e pestë.

Ministri i Transportit Hishammuddin Hussein tha se Malajzia po përballet me një situatë të pazakontë dhe do të bëjë gjithçka për të gjetur avionin që u zhduk të shtunën.

Në një konferencë shtypi sot, ministri tha se 42 anije dhe 39 avionë nga 12 vende nuk kanë gjetur asgjë deri tani në kërkimet e tyre që janë zgjeruar në një sipërfaqe mbi 50 mijë kilometra katrore.

Ai tha se vemendja është përqendruar në Detin e Kinës Jugore ku avioni u pa për herë të fundit nga kontrolli i trafikut ajror dhe në Ngushticën Malaka e cila ndodhet përballë gadishullin malajzian, disa qindra kilometra më larg.

Po sot, ushtria malajziane tërhoqi deklaratat se e kishte gjurmuar avionin në ngushticë, që është një nga linjat më të ngarkuara të transportit në botë.

Në një konferencë për shtyp, një zyrtar i ushtrisë tha se avioni mund të jetë diktuar nga radarët në orën 2:15 të mëngjesit të shtunën, rreth 320 kilometra në veriperëndim të ishullin Penang. Por zyrtari tha se nuk është e sigurtë në se bëhet fjalë për avionin që kërkohet.
XS
SM
MD
LG