Lidhje

Malajzia do të zgjerojë kërkimet për avionin


Autoritetet e Malajzisë thonë se "rrethana" të paspecifikuara detyruan që kërkimet për avionin e humbur të zgjerohen në Oqeanin Indian, mijëra kilometra larg zonës nga ku Boeing 777-a me 239 njerëz në bord u zhduk nga radarët javën e kaluar. Ministri i malajzian i Transportit tha se 57 anije dhe 48 aeroplanë nga 13 vende janë përfshirë në kërkimet për avionin.

Ministri i Transportit i Malajzisë Hishammuddin Hussein foli sot para gazetarëve, pa ofruar prova të reja për vendndodhjen e avionit të humbur, por tha se zona e kërkimeve është zgjeruar.

"Dy ditë më parë zona e kontrollit u zgjerua duke përfshirë Detin Andaman. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë tani po kërkojmë edhe më në lindje, në Detin e Kinës Jugore, duke avancuar edhe në Oqeanin Indian. Ne duam ta gjejmë aeroplanin sa më shpejt të jetë e mundur, por rrethanat na detyruan ta zgjerojmë kërkimin. Unë e kuptoj që kërkimet gjatë një hetimi normal bëhen në një perimetër gjithnjë e më të ngushtë, por ky nuk është një hetim normal."

Ministri i transportit nuk pranoi të komentonte mbi njoftimet sipas të cilave avioni vazhdoi t’u dërgonte satelitëve të komunikimit sinjale elektronike të automatizuara disa orë pas zhdukjes të shtunën, kur udhëtonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin.

Dje, zyrtarë amerikanë të informuar mbi çështjen thanë se satelitët kishin kapur sinjale të zbehta, që mendohet se vinin nga një avion. Por nuk është e qartë nëse këto sinjale mund të japin informacion mbi vendndodhjen e aeroplanit. Sikundër nuk është e qartë nëse aeroplani ishte apo jo në ajër në kohën kur sinjalet janë dërguar.

Ministri Hishammuddin tha se Malajzia është duke punuar me Shtetet e Bashkuara për të marrë informacione nga satelitët, por shtoi se do të ishte pa vend "që këto informacione të publikohen para se të vërtetohen".

Zoti Hishammuddin Hussein tha se 57 anije dhe 48 aeroplanë nga 13 vende janë përfshirë në kërkimet për avionin. Shumë nga familjarët e atyre që ndodheshin në aeroplan janë të pakënaqur nga informacionet gjysmake që ata thonë se po japin autoritetet e Malajzisë.

Zhdukja e avionit të Malaysia Airlines është bërë një nga rastet më të çuditshme në historinë moderne të aviacionit. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë mundësi si shkak për zhdukjen e tij, duke përfshirë ndonjë difekt të rëndë teknik, rrëmbim, shpërthim, ose mundësinë që piloti të ketë bërë vetvrasje.
XS
SM
MD
LG