Lidhje

Hetimet mbi rrëzimin e avionit në Ukrainë


Ndërsa hetimet mbi rrëzimin e avionit të kompanisë Malaysian Airlines vazhdojnë, drejtuesit e Shoqatës Ndërkombëtare të Sidës njoftuan sot se ata do të nderojnë disa kolegë të tyre të cilët ishin në mesin e 298 njerëzve të vrarë. Drejtoresha e kësaj shoqate thotë se gjashtë kolegët do të nderohen nesër në Australi gjatë hapjes së punimeve të një konference mbi Sidën.

"Ka një solidaritet të madh në mesin e komuniteteve tona dhe kjo tragjedi është ndoshta një shenjë e mirë për të punuar përsëri së bashku dhe për të vazhduar punën tonë si një mënyrë për të nderuar kolegët tanë", thotë Francoise Barre- Sinoussi, drejtuese e Shoqatës Ndërkombëtare të Sidës.

Një ceremoni e veçantë sot u mbajt në Australi për të nderuar viktimat e avionit të rrëzuar malajzian. Ndërkohë, një zyrtar i malajzian po përgatitet të shkojë në Ukrainë për t’u siguruar që një ekip hetues të ketë qasje të sigurt në vendin ku është rrëzuar avioni.

"Është e rëndësishme që ne të kemi një hetim të plotë dhe transparent të asaj që ka ndodhur, dhe për ta bërë këtë ne kemi nevojë për një bashkëpunim me të gjitha organizatat ndërkombëtare. Prandaj mbrëmë unë isha në kontakt me Sekretarin amerikan të Mbrojtje,Chuck Hagel, homologun britanik, Philip Hammond dhe me udhëheqësit kinezë", thotë ministri malajzian i mbrojtjes, Hishammauddin Husein.

Vëzhguesit evropianë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tashmë ndodhen në vendngjarje, por atyre u është dhënë qasje e kufizuar nga rebelët të cilët kontrollojnë zonën ku është rrëzuar avioni.

"Unë e përsërisë se këtu ka siguri. Ata që nuk i respektojnë rregullat e sigurisë do të përballen me pasoja", thotë një komandant i seperatistëve pro-rusë në këtë rajon.

"Ne jemi këtu për të parë nëse ka siguri në këtë zonë dhe për të parë se çfarë masash janë marrë për ta trajtuar këtë ngjarje në mënyrë më të efektshme", thotë Alexander Hug, zëvendës drejtor i misionit të OSBE-së në Ukrainë.

Avioni i kompanisë Malaysian Airlines të enjten ishte në rrugën e tij nga Amsterdami në Kuala Lumpur, kur u rrëzua në Ukraninë lindore.

Gati 200 pasagjerë ishin shtetas holandezë. Dyzet e katër ishin malajzianë, duke përfshirë edhe ekuipazhin 15 anëtarësh.

Sekretari i Jashtëm britanik Philip Hammond thotë se hetuesit ndërkombëtarë " nuk po marrin mbështetje të mjaftueshme" nga Rusia për të shkuar në vendin ku ndodhen mbetjet e avionit malajzian.

Zoti Hammond u tha gazetarëve sot se rusët nuk po e përdorin si duhet ndikimin e tyre në mënyrë që separatistët që kanë nën kontroll zonën të lejojnë qasje të nevojshme. Ai tha se sytë e botës do të jetë tek Rusia për të parë ndihmën e saj në këtë çështje.

Në një telefonatë sot, presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel ranë dakort se një komisioni të pavarur, ndërkombëtar i udhëhequr nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil duhet t'i jepet qasje e shpejtë në vendin e rrëzimit. Qeveria gjermane tha zonja Merkel i bëri thirrje zotit Putin të përdor ndikimin e tij mbi separatistët.

Presidenti amerikan Barak Obama tha të premten se provat tregon se një raketë tokë-ajër ka qëlluar dhe rrëzuar avionin malajzian të enjten dhe se ajo u lëshua nga territori i kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Rusia ka mohuar përfshirjen në sulm, i cili vrau 298 pasagjerët e avionit dhe ekuipazhin.

XS
SM
MD
LG