Lidhje

Shqipëri: Zgjedhjet 2013, debate për ndarjen e mandateve


E djathta propozon lënien në fuqi të ndarjes së 2009. Socialistët kundërshtojnë “hapet një precedent i rrezikshëm për procesin zgjedhor”

Në Shqipëri komisioni parlamentar i ligjeve debatoi sot mbi ndarjen e mandateve për zgjedhjet e qershorit. Duke qenë se komisioni qëndror i zgjedhjeve nuk ka marrë dot një vendim për ndarjen e re, shumica e djathtë propozoi lënien në fuqi të ndarjes së vitit 2009. Por për opozitën, një vendim i tillë përbën një precedent të rrezikshëm për zgjedhjet. Palët megjithatë ranë dakort që nesër të dëgjojnë shpjegimet e kryetares dhe nënkryetarit të Komisionit qëndror të Zgjedhjeve

Për shkak të ndryshimeve demografike në vend, sipas formulës për ndarjen e mandateve, Tiranës dhe Durrësit i shtohet nga një mandat për deputet, duke ja zbritur këtë Korcës dhe Beratit apo Kukësit. Pikërisht për një mandat që duhet t’i hiqet Beratit apo Kukësit lindën debate të forta në Komisionin qëndror të zgjedhjeve,dhjetorin e kaluar. Socialistët pretendojnë se në Kukës ka patur një rritje artificiale të popullsisë, me qëllim ruajtjen e kuotës prej 4 deputetësh që zgjidhen nga ky qark. Socialistët, sipas të cilëve ndryshimet kanë ndodhur në katër komuna të kontrolluara nga demokratët, kërkuan të dhëna nga Drejtoria e Gjendjes civile për lëvizjet demografike, por ato ju mohuan me arsyetimin se cënon të dhënat personale. Kjo bëri që vendimmarrja e pritshme e komisionit qëndror të bllokohej, ndërsa polemika të reja do të hapeshin javët e fundit pas një shkrese të sekretares së KQZ-së drejtuar parlamentit që të merrte ai vendimin. Sipas ligjit parlamenti merr vendim pasi ndarja e mandateve të jetë përcaktuar nga KQZ.

Përfaqësuesi demokrat Edi Paloka tha sot ne komisionin e ligjeve se ne kushtet e mungesës së një ndarjeje të re duhej të mbetej në fuqi ajo e vitit 2009:“Rruga e vetme mbetet miratimi i caktimit të mandateve duke u mbështetur tërësisht në ndarjen e mandateve për cdo zonë zgjedhore të bëra nga parlamenti për zgjedhjet e përgjitshme të vitit 2009”.

Por për socialistët një vendim i tillë do të përbënte një precedente të rrezikshëm për procesin zgjedhor: “Kjo do të ishte një goditje e rëndë për procesin zgjedhor, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Një vendim i tillë do të ishtë një cënim i drejtpërdrejt i bazës, i themeleve, i parimeve mbi të cilat ngrihet një proces zgjedhor”, tha deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

Sipas tij parlamenti nuk mund të marrë kompetencat e KQZ aq më tepër kur ka ende kohë sipas ligjit për një vendim të tillë: “Eshtë KQZ ajo që është kompetente dhe përgjegjëse për një vendim të tillë. Eshtë ajo që nuk e ka marrën një vendim të tillë. Cështja shtrohet a ka mundësi KQZ që ta marrë vendimin? Unë mendoj se po. Ka një afat limit, data 7 mars e këtij viti, që do të thotë se është në kohë për të marrë një vendim të tillë, si KQZ dhe vetë parlamenti”.

Zoti Xhafaj propozoi thirrjen në një seancë dëgjimore të kryetares dhe nënkryetarit të Kqz. Kërkesa u pranua pavarësisht se sipas demokratëve përfaqësuesit socialist kanë shkelur ligjin duke bllokuar ndarjen e mandateve:“Ju doni që të thërrisni kryetaren dhe nënkryetarin e KQZ të vijnë e të shpjegojnë qëndrimet e tyre. Le të vijnë e të shpjegojnë njeri pse ka respektuar ligjin dhe tjetri, pse ka dhunuar ligjin, e pastaj t’i vemë përpara përgjegjësisë këtu dhe publikisht”, u shpreh kryetari demokrat i Komisionit Ilir Rusmali

Ndarja e mandateve nuk një proces i thjeshtë mekanik. Duke patur parasysh sistemin zgjedhor dhe formulën mbi të cilën llogariten votat për deputetët numri i deputetëve sipas zonave zgjedhore ka një peshë jo të vogël.
XS
SM
MD
LG