Lidhje

Maqedoni, balotazh më 27 prill


Në Maqedoni, pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dje, presidenti në detyrë Gjorgje Ivanov, i cili po garon për një mandat të dytë, ka fituar më shumë vota, por megjithatë ai do të shkojë në balotazh pas dy javësh me zotin Stevo Pendarovski të Lidhjes Social Demokrate. Ndërkohë, vëzhguesit ndërkombëtarë bënë vërejtjet e para lidhur me procesin.
Zgjedhjet në Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00


Kandidati presidencial i VMRO-DPMNE-së Gjorgje Ivanov, i cili garon për një mandat të dytë ka fituar më shumë vota në raundin e parë rreth 450 mijë, ndërsa Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate të opozitës 336 mijë. Dallimi prej mbi njëqind mijë votash, megjithatë nuk ia garanton fitoren zotit Ivanov, por midis të dyve do të ketë një raund të dytë më 27 prill.

Ilaz Halimi i Partisë Demokratike Shqiptare ka marrë 39 mijë vota, ndërsa Zoran Popovski i partisë Opsioni Qytetar për Maqedoninë, 31 mijë vota.

VMRO-ja ka festuar mbrëmë nëpër disa qytete; ndërkohë që drejtuesi i saj Nikolla Gruevski dhe kandidati presidencial Gjorgje Ivanov përsëri kanë kërkuar votën e maqedonasve për të arritur numrin prej 62 deputetëve në Parlament që ta formojë qeverinë e re pa trysninë e partisë shqiptare BDI. Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare do të mbahen së bashku me raundin e dytë të presidencialeve.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate ka hedhur akuza për manipulimin dhe vjedhjen e votave nga partia në pushtet. Kandidati i saj Stevo Pendarovski tha se beteja nuk përfundon këtu, duke shpresuar në fitore pas dy javësh.

Ndërkohë, vëzhguesit e ODIHR-it dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thanë sot se procesi i zgjedhjeve presidenciale ishte menaxhuar mirë, sidomos shprehën tone pozitive për numërimin e votave "në mënyrë transparente dhe profesionale".

Shefi i misionit të ODIHR-it Gert Ahrens tha se janë respektuar të drejtat themelore dhe dse kandidatët ishin në gjendje të bëjnë fushatë të lirë, megjithatë mbulimi i njëanshëm dhe jo i balancuar i fushatës nga mjetet e informimit si dhe paqartësia e aktiviteteve shtetërore dhe partiake krijuan një terren të pabalancuar, që bie ndesh me standardet evropiane.

Vëzhguesit vërejtën se puna e Komisionit Shterëror të Zgjedhjeve ka qenë efikase por se ka pasur mjaft tensione midis anëtarëve gjatë votimeve, sipas linjave partiake.

Zoti Ahrens theksoi numrin e lartë të votuesve në regjistrin zgjedhor prej rreth 1.8 milionë zgjedhësish, si një çështje shqetësuese, ndërkohë që nënvizohet prania e një numri të madh të votuesve të regjistruar në një adresë të njejtë banimi.

Gert Ahrens tha se gjuha e përdorur e kandidatëve në fushatë ka qenë kryesisht e moderuar, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve është ngritur retorika negative midis drejtuesve të VMRO-së dhe Lidhjes Social Demokrate nga njëra anë; ndërkohë që nga ana tjetër brenda bllokut etnik shqiptar janë shkëmbyer akuza të rënda për korrupsion.

Stefan Shenah i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës theksoi shqetësimin e thellë për shkak të hendekut që po zmadhohet midis grupeve etnike dhe kjo gjë, rtha ai, është vërejtur edhe në këtë fushatë.
Vëzhguesit bënë vërejtje edhe për mungesën e kanditatëve femra në garë, ndërkohë që thirrjen e BDI-së për të mos marrë pjesë në zgjedhje e cilësuan si të papranueshme. Poashtu u theksua kontrolli i tërthortë i medias nga partia në pushtet, përmes okupimit të hapsirës për reklama.

Vëzhguesit kanë hasur parregullsi të numërta në një qendër votimi. ODIHR do të dalë me një raport përfundimtar pas tetë javësh pasi të ketë përfunduar procesi i zgjedhjeve në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG