Lidhje

Arkeologët: Populli Maya nuk parashikoi apokalips


Interneti ka qenë plot thashetheme se bota do të marrë fund, ose të paktën do të transformohet, të premten më datë 21 dhjetor kur përfundon kalendari 5125-vjeçar i fiseve Maya. Por arkeologët thonë se thashethemet janë pa bazë: Mayat e lashtë nuk parashikonin ndonjë një apokalips. Në muzeun e arkeologjisë së Universitetit të Pensilvanisë në Filadelfia, një ekspozitë synon të sjellë të vërteta lidhur me kalendarin Maya si dhe me perceptimin e kohës nga ana e tyre.

Ekspozita Maya 2012 përshëndet vizitorët me imazhe imagjinare të apokalipsit.

Loa Traxler është kuratore e ekspozitës dhe specialiste e qytetërimit Maya.
Ajo thotë se tërmetet, përmbytjet dhe ngjarjet e tjera kataklizmike ndodhin dhe do të vazhdojnë të ndodhin, por...

"Asgjë e tillë nuk është parashikuar nga Mayat e lashtë për 21 dhjetorin."

Zonja Traxler thotë se parashikimet janë në të vërtetë produkt i një shqetësimi të kohëve moderne rreth fundit të botës.

"Autorët dhe blogerët sot duan të pohojnë se ekzistonte një urtësi e lashtë dhe profeci të lashta të popullit Maya para pushtimit spanjoll, që na tregojnë se fundi është pranë, se këto gjëra dramatike dhe shkatërrimtare do të ndodhin së shpejti. Por Mayat nuk bënë asnjë lidhje mes këtyre dukurive dhe cikleve të tyre kalendarike."

Ajo thotë se ata thjesht pëlqenin t’u jepnin kuptim numrave.

"Ata krijuan një sistem kalendarik shumë të sofistikuar dhe shumë të përqëndruar tek paraqitja e kontekstit për historitë dhe biografitë e tyre si dhe për ngjarjet e tyre të përditshme."

Koha matej me baktunë, që janë cikle prej 400 vjetësh. Baktuni i fundit është duke përfunduar tani. Por arkeologia Traxler thotë se kalendari thjesht fillon përsëri.

"Është si rrugëmatësi i makinës. Numërimi nis nga fillimi."

Ekspozita paraqet më shumë se 150 objekte, duke përfshirë një kolonë që përkujton herën e fundit të rifillimit të ciklit kalendarik.

Lidhja mes kalendarit Maya dhe atij Gregorian mund të shihet në këtë ekran.
Në ekspozitë ka edhe elementë interaktivë. Aty mund të krijohen histori të ngjashme me ato në kolonë duke vendosur datëlindjen dhe duke zgjedhur një emër Maya. Rezultati shtypet në letër. Por a besojnë vizitorët e muzeut se bota do të përfundojë?

"Mendoj se një mundësi ekziston. Por unë shpresoj që të mos ndodhë", thotë një prej tyre.

"Jo. Kalendari përfundon. Kjo periudhë përfundon. Por bota nuk do të përfundojë", thotë një tjetër.


Sipas një ankete të kohëve të fundit, 2 për qind e amerikanëve janë të shqetësuar prej apokalipsit të popullit Maya. Ne të tjerët kemi kohë deri më 13 janar për ta parë këtë ekspozitë.
XS
SM
MD
LG