Lidhje

Konferencë e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane


fehrit murati 1
fehrit murati 1
Me pjesmarrjen e laureatit të Çmimit Nobel, Ferid Murad, Shoqata Mjeksore Shqiptaro-Amerikane mbajti të shtunën në Uashington një aktivitet, ku kishin ardhur disa dhjetra mjekë dhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe. Shoqata e shikon veten si një forum për shkëmbimin e ideve dhe për të ndihmuar shqiptarët në Shqipëri e Kosovë të përmirësojnë kujdesin shëndetësor.

Kjo është ndër të paktat shoqata shqiptaro-amerikane e përbërë nga profesionistë në Shtetet e Bashkuara. Dhe është një shoqatë që diskuton me kompetencë për çështje që lidhen me disa nga teknikat më moderne të praktikës mjeksore në botë.

Shoqata Mjeksore Shqiptaro-Amerikane
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:44 0:00


Anëtarët e shoqatës janë mjekë me moshë kryesisht të re, që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara në dy dekadat e fundit, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. Të tjerë janë lindur në Amerikë nga prindër me prejardhje shqiptare.

Të shtunën paradite në program ishte një konferencë shkencore, e para që organizonte kjo shoqatë me qendër në Boston.

Doktoreshë Lindita Çoku, presidente dhe bashkëthemeluese e Shoqatës, është motori i punës për funksionimin e organizatës.

"Në këtë mënyrë, ne mësojmë për fushat e interesit të secilit, krijojmë kontakte, mund të bashkëpunojmë për kërkime shkencore që mund të shtrihen edhe në tokat shqiptare në Ballkan. Në këtë mënyrë njohim se në çfarë institucionesh funksionon elementi shqiptar këtu në Amerikë dhe kështu mund të krijohen edhe ura bashkëpunimi".

Në konferencë, anëtarët e shoqatës, të cilët duket se janë në frontin e përparuar të kërkimeve shkencore që bëhen në SHBA, paraqitën disa punime interesante. Fushat kryesore ishin neurologjia, psikiatria, mjeksia parandaluese, sëmundjet infektive, kardiokirurgjia dhe të tjera.

Doktor Ismet Lukoliç, vjen nga një familje që emigroi këtu në vitin 1978 nga fshati Muriq i Tivarit në Mal të Zi, dhe punon në një spital të Bruklinit në Nju Jork. Ai i raportoi konferencës për një studim origjinal që ka si objekt gjendjen shëndetësore të shqiptarëve të Amerikës.

"Ne pamë me hulumtimin tonë shkencor se në komunitetin shqiptaro-amerikan ekzistojnë disa pika që kanë ndryshime me (grupet e tjera etnike). Jo vetëm ndryshime për keq por edhe për mirë".

Sipas studimit të doktor Lukoliç, fakti që shqiptarët e kanë të zhvilluar jetesën e përbashkët në familje, i bën mirë jo vetëm kulturës së tyre por edhe shëndetit të tyre.

Një panel prej katër mjekësh me përvojë bën vlerësimin e kumtesave shkencore. Mes tyre është kardiologu me origjinë nga Gjakova, Sulejman Çelaj, i cili punon në një klinikë të Bronksit. Ai është bashkëthemelues i Shoqatës dhe drejtor ekzekutiv i saj:

"Ky është ndër nivelet më të larta që ekziston në SHBA, dua të them puna e tyre shkencore. Shumica e këtyre hulumtimeve janë zbulime të reja. Një ditë shpresojmë që edhe ne të ndjekim rrugën, apo së paku të kemi pikësynim rrugën dhe cakun që arriti kryetari i shoqatës sonë, Dr. Ferid Murad".

Ferid Murad, laureat i Çmimit Nobel të Mjeksisë për vitin 1998, është kryetar nderi i Shoqatës Mjeksore Shqiptaro-Amerikane. Shkencëtari i njohur është me origjinë shqiptare nga i ati dhe ai i shikon me shumë entusiazëm shqiptaro-amerikanët e rinj, të cilët duan të arrijnë suksese në fushën e vështirë të mjeksisë:

"Mendoj se ata janë të uritur për dije, janë plot entusiazëm, kanë ide të reja. Atyre thjesht u duhet rasti për të ecur përpara. Kjo nuk ndodh menjëherë por duhet kohë që ata të gjejnë mentorë dhe të hyjnë në fushën e kërkimit shkencor. Kjo kërkon kohë dhe ata e kuptojnë këtë, por është shumë e rëndësishme për të gjithë ata".

Në panelin e vlerësimit është edhe Dr. Filip Çaushaj, kirurg onkolog me origjinë nga Shqipëria. Ai është shef kirurgjie në Siptalin e Universitetit të Virginias Perëndimore dhe kur flet për shqiptarët ai mbushet me emocion.

"Kam ndihmuar shqiptarë në jetën time…. Kjo është dëshira jonë. Që këta mjekë që kanë ardhur këtu, ne të gjithë, të çojmë ato që dimë në Shqipëri për të ndihmuar popullin tonë. Dr. Çoku ka bërë shumë vizita në Shqipëri dhe në Kosovë për këtë çështje dhe kemi shumë shpresë se këto do të sjellin fryte të mira në të ardhmen".

Dr. Çaushaj është lindur në Amerikë dhe e ka mësuar shqipen këtu:

"Babai në shtëpi fliste shqip. Unë nëqoftëse nuk flisja shqip, kisha drurin shqiptar që më priste. Pra, mirë a keq unë flas shqip në sajë të babait tim".

Prindët e Dr. Çaushajt erdhën në Amerikë në vitin 1944.

"Babai im kishte gjithnjë besimin se do të kthehej në Shqipëri, se komunizmi do të binte dhe ai do të kthehej në Atdhe. Nuk kishte qejf të qëndronte në Amerikë. Fatkeqësisht ai vdiq këtu përpara se të çlirohej Shqipëria dhe nuk e realizoi dot ëndrrën e jetës së tij. Unë deri më sot nuk kam shkuar në Shqipëri, por kam një shpresë të madhe që të shkoj e të shikoj vendet e babait e të nënës, ku ata janë lindur dhe popullin që na ka bërë".

"Këtë verë do të shkoj në Afrikën e Jugut për të bërë dy javë operacione për të varfërit. Kam shumë qejf të bëj edhe dy javë në Shqipërinë tonë".

Dr. Çoku emocionohet shumë kur flet për ndihmën ndaj shqiptarëve. Dhe ka arsye.

Para disa vitesh kirurges iu desh të operonte një person të aksidentuar që erdhi në gjendje shumë të rëndë në sallën e operacionit. Papritur ajo dalloi në krahun e pacientit tatuazhin e një shqiponje dhe e kuptoi se ai ishte shqiptar.

"Kur e pashë krahun me një shqiponjë shumë të madhe, u emocionova shumë…".

Aty e ndjeva se isha vërtet shqiptare dhe se që nga ajo ditë nuk do t’i harroja kurrë rrënjët e mija, thotë kirurgia. Jeta e pacientit u shpëtua, por ky nuk ishte rasti i vetëm për Doktoreshë Çokun:

"Në Boston kam operuar nga zemra tre pacientë shqiptarë, njerëz shumë të mirë, me të cilët jam në kontakt dhe më nxisin të jem sa më e mirë si shqiptare këtu në SHBA dhe të kontribuoj sa më shumë si për popullin amerikan, por edhe për popullin tim, edhe jashtë mundësive, jo vetëm brenda mundësive".

Në një mbrëmje gala që Shoqata organizoi të shtunën vonë,

Shoqata nderoi me çmimin për arritje të një jete mjekun e njohur amerikan James Strickler, i cili për një kohë të gjatë ka ndihmuar Kosovën me ekspertizë, me shkëmbime studentësh dhe me ekipe mjeksore.

Dr. Strickler e pranoi çmimin me shumë mirënjohje por me shumë pak fjalë:

“Ne do të jemi aq këmbëngulës sa ç’janë edhe shqiptarët.”

Doktor Ferid Murad tregoi shkurtimisht historinë e babait të tij shqiptar, i cili kur ishte 19 vjeç vendosi të vinte në Amerikë në vend që të kulloste bagëtitë në malet e Ballkanit, siç bënin shumë nga moshatarët e tij në atë kohë.

"Mendoj se kjo histori nuk është e pazakontë. Ajo që unë kam mësuar prej saj është fakti që shqiptarët e kanë vlerësuar arsimin dhe kanë një etikë të lartë pune për të qenë të suksesshëm".

Dr. Murad nuk e përmban dot mallëngjimin.

"Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara janë treguar të jashtëzakonshëm dhe janë disa qindra mijra në korridorin verilindor të këtij vendi".
XS
SM
MD
LG