Lidhje

Një shoqatë bamirëse përballë kërcënimit të shkurtimeve


Shoqata Meals on Wheels shpërndan paketa ushqimore për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara

Këtu në Shtetet e Bashkuara po numërojmë aktualisht orët e fundit, para se të hyjnë në fuqi shkurtimet automatike. Presidenti Obama ka në plan të takohet nesër me udhëheqësit në Kongres, që t’i nxisë të arrijnë një kompromis për buxhetin federal dhe uljen e deficitit. Deri në arritjen e këtij kompromisi vendit i kanosen shkurtime automatike prej 85 miliardë dollarësh. Shkurtimet do të prekin programe të rëndësishme për mbrojtjen dhe sigurinë. Shumë punonjës qeveritarë mund të humbasin një pjesë të pagës nga këto shkurtime. Por ka edhe plot amerikanë të tjerë që rrezikohen, pasi mbështeten tek fondet qeveritare për nevoja jetike.

Me një armatë të përbërë prej vullnetarësh dhe personelit të paguar, shoqata Meals on Wheels në qytezën Takoma Park u dërgon çdo ditë dy vakte ngrënieje 30-40 të moshuarve të pamundur dhe personave me aftësi të kufizuara.

Shumë nga vullnetarët janë vetë pensionistë. Ata përdorin makinat e tyre dhe paguajnë vetë karburantin për të shpërndarë pakot ushqimore.

Joan Debrule është kliente e shoqatës. Ajo gëzohet kur paketat kanë gatimet e saj të preferuara:

“Gjithmonë preferoj kuzhinën italiane, si dhe ëmbëlsirat”.

Shoqata është jetike për të:

“Nëse nuk do të ishte shoqata Meals on Wheels, mund të isha detyruar të shkoja në azil të pleqve. Kam probleme me gjurin dhe nuk mund të rri në këmbë për të gatuar. Nuk e di si do t’ia bëja ndryshe”.

Katherine Yowell shpreh të njëjtën mirënjohje:

“I dua shumë vullnetarët, jam mirënjohje për dashamirësinë e tyre. Gjithmonë organizojnë diçka të veçantë kur vijnë festat”.

Në të gjithë vendin ka filiale të shoqatës. Shumica e tyre janë partneritete mes sektorit publik dhe privat. Ellie Hollander kryeson shoqatën qendrore Meals on Wheels.


“Pjesa më e madhe e programeve tona varen në një farë mase nga fondet federale. Prandaj një shkurtim prej 5.1 për qind në këto fonde që marrim përmes Ligjit për Amerikanët e Moshuar do të sillte një reduktim prej 41 milionë dollarësh për operacionet kombëtare të shoqatës – kjo është një shumë e konsiderueshme”.

Zonja Hollander thotë se kjo nënkupton se deri në 19 milionë paketa ushqimore për të moshuarit do të reduktohen ose eliminohen. Ky reduktim, thotë ajo, do të shkëpuste për disa të moshuar lidhjen e tyre me botën e jashtme.

“Një ndër gjërat më të rëndësishme kur ofrojmë paketa ushqimore është se përveç vlerave ushqyese ofrojnë edhe lidhje sociale, gjë që është shumë e rëndësishme për pavarësinë e klientëve tanë, si dhe u jep atyre një ndjenjë pozitive për veten”.

Presidenti Obama i ka bërë thirrje Kongresit të veprojë për të shmangur shkurtimet, me paralajmërimin se masat do të rëndojnë mbi amerikanët më të rrezikuar. Udhëheqësit republikanë fajësojnë presidentin se nuk ka bërë sa duhet për t’u prerë rrugën shkurtimeve.

Joan Debrule thotë se disa të moshuar ndjehen të pambrojtur përballë Kongresit:

“Jemi në mëshirën e tyre. Ata nuk e kanë të qartë situatën tonë. Ata vetë kanë punë, me rrogën që ua paguajnë amerikanët”.

Në kuzhinën e shoqatës Meals on Wheels, të gjithë shpresojnë se Presidenti dhe Kongresi do të gjejnë një mënyrë për të zëvendësuar shkurtimet automatime me masa më pak të tronditëse.

XS
SM
MD
LG