Lidhje

Nju Jork: Hapet Muzeu i Artit “Met Breuer”


Në Nju Jork, ndryshimi është konstantja e vetme; edhe institucionet e respektuara, si Muzeumi Metropolitan i Artit, ndjejnë nevojën për t’u riorganizuar herë pas here, me qëllim që t’i përshtaten audiencave bashkëkohore. Me hapjen e një ekspozite të re në një hapësirë të njohur, artdashësit do të mund të shohin një aspekt të ri të muzeut.

Kur është fjala për artin, perspektiva është gjithshka. Ndoshta kjo është arsyeja përse drejtuesit në Muzeun e Famshëm Metropolitan të Artit në Nju Jork vendosën ta ndryshojnë perspektivën e tyre, duke e hedhur vështrimin tek një mjedis i ri në Manhattan.

Muzeumi “Met Breuer” hapet atje këtë muaj në kryqëzimin e rrugës 75 me avenunë Madison. Në pavionin e ri do të ekspozohet një koleksion i artit modern dhe bashkëkohor të Muzeut Metropolitan.

Në se kjo ndërtesë ju duket e njohur, kjo ndodh ngaqë ajo më parë ka qenë e njohur si “Muzeumi Whitney i Artit Amerikan”!

Kuratorët e Met Breuer-it nuk do të largohen shumë nga prirja bashkëkohore e ndërtesës, por ata po i japin asaj përspektivën e tyre dhe ajo premton të jetë historike.

"MET është i njohur për objektet historikë të artit dhe të pozicionosh modernen dhe bashkëkohoren brenda këtij konteksti është diçka tepër unike”, thotë Brinda Kumar, punonjëse e muzeut.

Në seksionin “Unfinished: Thoughts Left Visible”, “ E papërfunduar”, vizitorët do të shohin një koleksion të madh të punimeve nga shekulli i 20-të dhe i 21-të, që tregon se si edhe artistët më të mirë, qofshin ata të njohur në botë, ose jo, kanë lënë punë të pambaruara.

Qoftë një vepër e Picasso-s, apo e Warhol-it, del se është një temë universale, një ide e cila i ka qëndruar testit të kohës… se jo gjithmonë veprat artistike mbarohen!

Në mur është një shembull i shkëlqyer i një vepre të pambaruar të skulptorit të famshëm francez Auguste Rodin.

Ndarja mes së vjetrës dhe së resë nuk i ka shpëtuar kritikëve të artit.

"Ishte diçka e mrekullueshme të shohësh elementë të Rilindjes dhe të artit Barok në këtë hapësirë, ku unë gjatë disa dekadave jam mësuar të shoh art bashkëkohor”, thotë kritikja e artit, Leslie Camhi.

Dhe ndoshta seksioni i punëve të pambaruara, “Unfinished”, është një titull i përshtatshëm për përpjekjen e vetë muzeut MET Breuer për të filluar rishtazi… në një hapësirë e cila është shumë e ndryshme si në pamje, edhe në përmbajtje, nga Muzeu Metropolitan origjinal.

Përmes ekspozimit të veprave bashkëkohore si ajo e artistit indian Nasreen Mohamedi, vizitorët do të fillojnë ta shohin Muzeun Metropolitan si diçka më tepër se sa thjesht një ekspozues të varreve egjiptiane dhe artifakteve historike.

“Muzeu i ri paraqet liri më të madhe se sa muzeu konservator Metropolitan, duke përzjerë këtu së bashku Rilindjen dhe punimet bashkëkohore”, thotë Linda Yablonsky, kritike arti.

Punimet bashkëkohore në fund të fundit do të kenë vendin e tyre në histori… përsa kohë që shikuesit janë të hapur ndaj prespektivave të reja.

“Arti në fakt nuk ka kuptim, përsa kohë që atë nuk e shohin njerëzit, që i japin atij kuptimin. Kjo është arsyeja përse ne erdhëm këtu, për të krijuar një kontekst për muzeun e vjetër Whitney, që tani njihet si MET Breuer", thotë zonja Yablonsky.

…Dhe në kontekstin e artit botëror, kjo perspektivë e re është kurdoherë e mirëpritur.

XS
SM
MD
LG