Lidhje

Meksikë, arrestohet kryetarja e sindikatës së arsimtarëve


Elba Esther Gordilio Morales nuk pranoi t’u përgjigjej akuzave gjatë paraqitjes dje në gjykatë por drejtues të tjerë sindikatash e përshëndetën arrestimin e saj

Kryetarja e fuqishme e sindikatës së arsimtarëve në Meksikë u arrestua nën akuzat për korrupsion dhe përvetësim të më shumë se 160 milionë dollarëve nga fondet e sindikatës.

Elba Esther Gordilio Morales nuk pranoi t’u përgjigjej akuzave gjatë paraqitjes dje në gjykatë por drejtues të tjerë sindikatash e përshëndetën arrestimin e saj. Zonja Morales kishte mbi 20 vjet që drejtonte sindikatën e arsimtarëve. Ajo akuzohet për përvetësim fondesh që i shpenzonte për operacione plastike, veshje të shtrenjta dhe udhëtime luksoze.

Zonja Morales u arrestua të martën, pas kthimit nga Kalifornia, një ditë pasi presidenti Enrique Pena Nieto nënshkroi ligjin për reformën arsimore, një ligj që sindikata e kundërshtonte.

Sipas ligjit të ri, sindikata nuk ka më kompetenca për marrjen në punë ose pushimin nga puna të arsimtarëve. Një drejtues i sindikatës së arsimtarëve tha se arrestimi i saj synon të përçajë sindikatën.

Gjykatësi i çështjes prite të vendosë brenda 6 ditësh në se zonja Morales do t’i nënshtrohet gjykimit apo jo. Në se shpallet fajtore ajo mund të dënohet me 3 vjet burg.
XS
SM
MD
LG